Auditori: Cilësia e naftës në Kosovë e dyshimtë

Përmes një raporti të performancës, Zyra Kombëtare e Auditimit ka ngritur dyshime për cilësinë e derivateve të naftës në Kosovë.

Sipas Auditorit, në raportin e ‘kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës’, ka gjetur mangësi në sistem, ku është vënë në pikëpyetje kompetenca dhe besueshmëria e marrjes së mostrave dhe testimit të tyre.

Derivatet e naftës në import menaxhohen nga Dogana e Kosovës, kurse në tregun e brendshëm nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

“Sistemi ekzistues i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës nuk është në gjendje të sigurojë cilësinë e derivateve të naftës në importe dhe në tregun e brendshëm. Përkundër përpjekjeve për të siguruar cilësinë e derivateve të naftës, kontrolli dhe monitorimi i këtyre produkteve është përcjellë me mangësi të shumta, dhe kjo ka ndikuar që të mos sigurohet cilësia e derivateve të naftës në import dhe në tregun e brendshëm”, thuhet në këtë raport të Auditorit.

Sipas këtij raporti, në vitin 2018, 19% e mostrave të shikuara, janë paraqitur në raport të derivateve të tjera të testuara, ndërsa vet nuk ishin testuar, kurse në 5% të mostrave, ka munguar raporti i testimit në sistem si dokument i bashkangjitur.

“Mangësitë në import përfshijnë mungesën e raporteve të testimit laboratorik dhe informatave të plota për Trupat Inspektuese në sistem, pamundësinë e identifikimit të Trupave Inspektuese në raste të caktuara, mungesën e akreditimit të Laboratorit të Doganës, si dhe numrin e ulët të parametrave të testuar”, thuhet në komunikatën e Auditorit.

Po ashtu, Auditori gjatë këtij procesi ka vërejtur se në Laboratorin e Doganës, nuk posedohet një bazë e të dhënave e plotë, në të cilën evidentohen të gjithë Trupat Inspektuese që angazhohen për marrje të mostrave. Sipas Auditorit, si pasojë kanë rezultuar mungesa e raporteve në sistemin e Doganës, ku evidentohen të gjitha importet e naftës dhe dokumentet përcjellëse të tyre.

Zyra e Auditorit në këtë raport ka gjetur se Laboratori i Doganës ka testuar parametra për të cilët nuk ka qenë i akredituar dhe që nga muaji prill i vitit 2019 kryen testime pa akreditim.

“Kontrollet që u bëhen mostrave të përzgjedhura të derivateve të naftës duhet të jenë të besueshme. Kjo nënkupton që kontrollet e derivateve të naftës duhet të realizohen nga Trupa të akredituar. Standardi ISO/IEC 17025 specifikon kërkesat e përgjithshme për kompetencën, paanshmërinë dhe qëndrueshmërinë e funksionimit të laboratorëve. Laboratori ka testuar parametra siç është densiteti në 15ºC dhe që nga fundi i vitit 2018 edhe përmbajtjen e esterit metilik të acidit yndyror (EMAY) për të cilët nuk ka qenë i akredituar, për të verifikuar cilësinë e derivateve të importuara. Gjithsesi, në raport laboratori ka paraqitur faktin se këta parametra nuk ishin të akredituar”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditorit.

Auditori i Përgjitshëm, Besnik Osmani, në lidhje me këtë raport ka thënë se cilësia e naftës në Kosovë është e pasigurtë, si pasojë e mangësive të shumta.

“Cilësia e derivateve të naftës është e pasigurtë si pasojë e mangësive të shumta në sistemin e kontrollit dhe monitorimit. Shqetësues është fakti që në import dhe në tregun e brendshëm aktualisht testohet një numër tejet i vogël i parametrave të cilësisë si dhe mungesa e ndërmarrjes së masave në treg të brendshëm ndaj derivateve që rezultojnë jo konforme për ti larguar ato nga pikat e shitjes”, ka thënë Osmani.

Gjithashtu, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë autoritetet përgjegjëse, Doganën e Kosovës dhe Ministrinë e Tregtisë, që të shtojnë përpjekjet e tyre për ndërmarrjen e veprimeve, për të siguruar cilësinë e nfatës në import dhe në treg të brendshëm.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit mund ta gjeni këtu.