Sokol Haliti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Auditori: Komuna e Vitisë punësoi 83 zyrtarë me kontrata mbi vepër, prej tyre 49 në kundërshtim me ligjin

Në vitin 2020 Komuna e Vitisë ka punësuar 83 zyrtarë për shërbime të veçanta apo kontrata mbi vepër, për 49 prej tyre kontratat janë nënshkruar në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarë Publik.

Kjo është gjetje e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Vitisë, e publikuar në raportin e vitit 2020.

Auditori ka konstatuar se punësimi i 49 zyrtarëve ishte bërë pa ndonjë procedurë të prokurimit.

“Komuna gjatë vitit 2020 kishte angazhuar 83 zyrtarë për shërbime të  veçanta, për këto angazhime Komuna kishte zhvilluar procedurat të  rekrutimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil. Ne analizuam rastet e  angazhimeve pas hyrjes në fuqi të ligjit për zyrtarët publik, dhe kemi  vërejtur se në 49 raste të angazhimeve kontratat ishin nënshkruar pa  udhëhequr ndonjë procedurë të prokurimit siç kërkohet me ligjin për zyrtarët publik”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, shumica e të angazhuarve me këto marrëveshje ishin për mbulimin e pozitave të rregullta dhe sipas menaxhmentit kjo ishte pasojë e mungesës së pozitave të aprovuara në planifikimin e buxhetit.

Në raport thuhet se ky punësim përveç që është në kundërshtim me ligjin, po ashtu mund të ndikojë që të mos ketë meritokraci.

“Anashkalimi i procedurave të prokurimit në lidhje me mbulimin e pozitave për shërbime të veçanta, përveç mosrespektimit të procedurave ligjore po ashtu e rrit edhe rrezikun e angazhimit të personave jo adekuat për pozita  dhe detyrat e caktuara, çka mund të reflektoj edhe në performancë e tyre në punë”, thuhet në raport.

Auditori në fund ka dhënë edhe rekomandime që shkelje të tilla të mos përsëriten në komunën e udhëhequr nga Sokol Haliti.

“Kryetari duhet të sigurojë se janë ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat e  prokurimit në angazhimin e kontraktorëve individual për shërbime të  veçanta duke u kujdesur që personeli i angazhuar do të jetë në gjendje të  përmbush detyrat e kërkuara. Po ashtu, menaxhmenti duhet të përkujdeset  që angazhimet për pozitat e rregullta të zhvillohen përmes procesit të rregullt të rekrutimit”, thuhet në rekomandim.

Me këto gjetje është pajtuar kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.