IKShPK

Auditori: Në Institutet Rajonale të Shëndetit Publik janë bërë pagesa mbi 10 euro përmes arkës

Në bazë të Rregullës Financiare për të hyrat, të gjitha pagesat prë shërbime në lartësi mbi 10 euro, duhet të bëhen përmes bankave.

Auditori në raportin e publikuar për Ministrinë e Shëndetësisë ka gjetur se disa raste pagesat mbi 10 euro janë bërë përmes arkës e jo përmes bankës.

Auditori ka gjetur se në IKSHPK në Prishtinë, 156 pagesa janë inkasuar përmes arkës edhe pse vlera e pagesës ishte mbi 10€.
Depozitimi i të këtyre të hyrave në bankë është bërë pas pesë ditëve.

Rast thuajse i njejtë ka ndodhur edhe në IKSHPK Gjilan, ku 257 pagesa janë inkasuar përmes arkës edhe pse vlera e pagesës ishte mbi 10€, ndërsa depozitimi i të hyrave në bankë është bërë pas tri ditëve.

Pagesa të tilla janë bërë edhe në IKSHPK Prizren, ku janë bërë 198 pagesa të inkasuara përmes arkës dhe depozitimi i të hyrave në bankë është bërë katër ditëve.

Poashtu edhe në IKSHPK Ferizaj janë kryer 219 pagesa të tilla ndërsa depozitimi i tyre në bankë është bërë tek pas dy ditëve.

Auditori ka gjetur se vlera e pagesave të panuar përmes arkës kryesisht sillej nga 15€.

Sipas Auditorit, arkëtimi në para të gatshme i këtyre të hyrave kishte ndodhur për shkak se në objektet shëndetësore apo afër tyre nuk ka ndonjë bankë apo institucion financiar ku mund të kryhen pagesat.

Ndërsa, depozitimi i të hyrave me vonesë ka ndodh për shkak të neglizhencës nga personat përgjegjës.

Auditori ka bërë të ditur në raport se mos respektimi i kërkesave ligjore lidhur me mbledhjen e parave të gatshme, dhe trajtimi jo i duhur i menaxhimit të procesit të depozitimit të të hyrave mund të shkaktojë keqpërdorim të parasë së gatshme, dhe mund të rezultojë me humbje të tyre.

Auditori i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë që të të sigurojë përmes menaxherëve të financave që mbledhja e të hyrave mbi 10€ të realizohet përmes llogarisë bankare si dhe depozitimi i tyre në bankë të bëhet në baza ditore.

“Nëse kjo është e parealizueshme atëherë si alternativë mbetet adresimi te Ministria e Financave për të ndryshuar rregulloren aktuale”, thuhet në rekomandim.