Auditori: MPJ emëroi 3 konsuj pa konkurs dhe pa kaluar përmes komisionit të gradave

Përgjatë vitit 2019, në Misione të ndryshme Diplomatike Konsullore të Kosovës me vendime të Ministrit të MPJ-së, Behgjet Pacolli, ishin emëruar tre konsuj që nuk ishin anëtarë të shërbimit të jashtëm, pa konkurs dhe pa kaluar përmes komisionit të gradave ashtu siç përcaktohet me rregullore.

Kështu ka konstatuar Auditori në raportin e tij për vitin 2019 për këtë dikaster, për të cilin ka thënë që emërimi pa konkurs ka ndodhur nga “nga papërgjegjësia e ministrisë për t’i ndjekur dhe respektuar kërkesat e përcaktuara ligjore”.

Sipas Auditorit, Ligji për Shërbimin e Jashtëm i Republikës së Kosovës kërkon që konkursi për emërimin e diplomatëve duhet të jetë i hapur.

”Neni 20 i Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës specifikon: “Pranimi në shërbimin e jashtëm bëhet nëpërmjet konkursit të hapur, në pajtim me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas auditorit “Komisioni ka për detyrë të bëjë Gradimin e Anëtarëve që hyjnë në Shërbimin e Jashtëm dhe Gradimin e zyrtarëve në kuadër të sistemit për vlerësimin e rezultateve të punës, ashtu siç përcaktohet me këtë Rregullore.”

Më tutje në raport Auditori ka sqaruar se konkursi për emërimin e diplomatëve duhet të jetë i hapur për një periudhë 30 ditore, pastaj kandidatët duhet ti nënshtrohen procedurave të vlerësimit.

“Ministria e Punëve të Jashtme shpall postet vakante për nëpunës në misionin diplomatik përmes konkursit të hapur, i cili zgjatë 30 (tridhjetë) ditë kalendarike”. Po ashtu, neni 3 paragrafi 3.2 specifikon: “Ministri nxjerrë vendimin për shpalljen e konkursit të hapur”. I njëjtin Udhëzim përcakton procedurat e aplikimit, testimit dhe intervistimit të kandidatëve në pozitat vakante për drejtues të misionit konsullor dhe nëpunës tjerë konsullorë”, thuhet tutje në raport.

Sipas Auditorit, emërimi pa konkurs mund të ndikoj që kandidatët e zgjedhur të jenë jomeritor si dhe ia pamundëson aplikimin qytetarëve të interesuar për këtë pozitë.

“Emërimi i konsujve pa konkurs dhe pa kaluar përmes komisionit të gradave, ua pamundëson aplikimin qytetarëve tjerë të interesuar për këtë pozitë, ndikon në dëmtimin e transparencës, si dhe mund të ndikoj që kandidatët e përzgjedhur të jenë jomeritor dhe jo kompetent për këtë pozitë”, thuhet në raport.

Auditori ka dhënë edhe rekomandimet që duhet të ndiqen në mënyrë që të mos ketë probleme të tilla në të ardhmen.

“Ministri duhet të siguroj që me rastin e emërimit të përfaqësuesve në Misione diplomatike konsullore, pranimi të bëhet përmes konkursit të hapur duke respektuar gjithashtu edhe kërkesën ligjore për gradimin e anëtarëve që hyjnë në shërbimin e jashtëm”, thuhet tutje aty.

Diplomacia kosovare në qeverinë Haradinaj ka qenë e udhëhequr nga ish-ministri Behgjet Pacolli, në qeverinë Kurti kjo ministri është udhëhequr nga ish-ministri Glauk Konjufca.

Më 3 mars Konjufca kishte propozuar tërheqjen nga misionet diplomatike të shtatë ambasadorëve: Vlora Çitaku (ShBA), Edon Cana (Bullgari), Lirim Grejçevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Mimoza Ahmetaj (Strasburg), Ylber Hysa (Mali i Zi), Ramadan Avdiu (Zvicër), për shkak të përfundimit të mandatit.

Ndërsa më 2 prill, Konjufca përmes një letre i ka kërkuar presidentit të vendit, Hashim Thaçi që ta tërheq nga misioni diplomaten Fatmire Musliu, e cila mbanë gradën Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Frankfurt/Republikën Federale të Gjermanisë.

Më 20 shkurt ish-shefi i diplomacisë kosovare Glauk Konjufca  përmes një vendimi kishte shkarkuar edhe 14 konsuj.

Ndërsa tani udhëhiqet nga ministrja Meliza Haradinaj-Stublla e cila ende nuk ka dhënë ndonjë sqarim se a do ti rishikoj vendimet e paraardhësit të saj.