Auditori: MPB ka punësuar kandidat pa i plotësuar kriteret

Zyra Kombëtare e Auditorit, në raportin e publikuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme ka vërejtur se në këtë ministri ka persona të punësuar të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret e parapara.

Auditori ka gjetur se në konkusin e shpallur për pozitën e punës “Vozitës” në AME te kriteri i përvojës së punës është kërkuar së paku një vit përvojë pune si shofer, ndërsa Udhëzimi Administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik përcakton se konkursi publik duhet të përsëritet nëse së paku tre kandidatë nuk i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs.

Auditori ka sqaruar e për këtë pozitë kishin aplikuar katër kandidatë të cilët nuk kishin ofruar asnjë dëshmi për përvojën e punës.

“Pavarësisht mosplotësimit të këtij kriteri, AME nuk e kishte anuluar konkursin dhe si rezultat njëri kandidat ishte punësuar. Për më tepër, dosja e rekrutimit nuk ishte e kompletuar pasi që mungonte lista e aplikantëve që i plotësojnë kushtet dhe kriteret (lista e ngushtë), e cila duhet të përpilohet nga Komisioni Përzgjedhës”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit arsyja pse ka ndodhur kjo është për shkak të papërgjegjësisë së komisionit përzgjedhës për të bërë vlerësimin e kandidatëve në pajtim me kriteret e përcaktuara dhe për të hartuar listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret.

“Ndikimi Shpërfillja e kërkesave të konkursit dhe mos hartimi i listës së ngushtë mund të rezultojë në rekrutimin e personave jo adekuat për vendin e shpallur të punës”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori ka rekomanduar që në të ardhmen komisioni përzgjedhës i rekrutimit të respektoj kërkesat e akteve që e rregullojnë themelimin e marrëdhënies së punës dhe kriteret e konkursit.