Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Auditori: MKRS me avanse të pambyllura nga 2010 për udhëtime zyrtare  

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur parregullsi në mbylljen e avanseve të udhëtimeve zyrtare në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas  ZKA-së, në MKRS deri në fund të 2021,  kishte avanse të pambyllura që nga 2010, të cilat kalojnë shumë 19 mijë euro.

“Për më tepër në ministri kishte avance të hapura që nga viti 2010 për të cilat zyrtarët përgjegjës ende nuk kishin sjellë dëshmitë përkatëse për mbylljen përkatësisht arsyetimin e tyre. Vlera e avanseve të paarsyetuara deri në fund të vitit 2021 ishte 19,267 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së për pasqyrat vjetor financiare të MKRS-së për 2021.

Ndërsa, gjatë 2021 Auditori ka evidentuar një rast të vonesave të mbylljes së avanceve për udhëtime zyrtare.

“Në një rast avansi i dhënë për udhëtim zyrtar në Francë me datën 06.07.2021 në vlerë 2,673 euro, nuk ishte arsyetuar dhe mbyllur brenda afatit ligjor prej 15 ditësh pas kthimit nga udhëtimi zyrtar, mbyllja e tij ishte bërë me 22.02.2022”, thuhet në raportin  e Auditorit.

Kjo gjendje, sipas Auditorit ka ardhur si rezultat i mos ndërmarrjes së veprimeve ligjore nga menaxhmenti i ministrisë ndaj zyrtarëve përfitues për kthimin e mjeteve.

Auditori konstaton se mos arsyetimi i shpenzimeve të udhëtimeve dhe mos mbyllja e avanseve, rritë rrezikun që paratë publike të jenë përdorur në kundërshtim me qëllimet e synuara.