Ministria e Kultures,Prishtine. 21 Maj 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Auditori: Ministria e Kulturës nuk respektoi afatet për shlyerjen e obligimeve financiare

Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka respektuar afatet ligjore për shlyerjen e obligimeve financiare ndaj furnitorëve të ndryshëm.

Sipas Auditorit, vonesa në shlyerjen pagesave nga ana e ministrisë shkojnë nga 32 deri në 493 ditë.

ZKA-ja konstaton se në 17 raste faturat ndaj furnitorëve me vlerë prej 651,002 euro, MKRS-ja i kishte paguar pas afatit kohor ligjor prej 30 ditësh. Ndërsa në 13 raste faturat në vlerë prej 489,161 euro me rastin e pranimit nuk ishin protokolluar.

“MKRS në 17 raste faturat/obligimet ndaj furnitorëve në vlerë totale 651,002€ i kishte paguar pas afatit kohor ligjor prej 30 ditësh. Vonesat sillen nga 32- 493 ditë. Po ashtu sipas PVF, vlera e obligimeve të papaguara në fund të vitit 2019 të cilat kishin kaluar afatin ligjor prej 30 ditësh ishte 1,328,209€. Ndërsa në 13 raste faturat në vlerë 489,161€ me rastin e pranimit nuk ishin protokolluar. Më tutje sipas vendimeve gjyqësore gjatë periudhës janar – korrik 2019, nga Thesari janë ekzekutuar gjashtë pagesa në vlerë 281,524 urove. Me këtë rast MKRS ka paguar 12,245€ si shpenzime shtesë për procedurë gjyqësore, përmbarimore dhe interes”, thuhet në raport.

Po sipas auditorit, një situatë e tillë ka ardhur për shkaka se MKRS-ja nuk ka zbatuar procedurat e kontrollit të brendshëm me rastin e pranimit dhe pagesës së faturave, konkretisht siç thuhet në raport, gjithë kjo parregullsi ishte rezultat i mosfunksionimit të mirë të kontrolleve të brendshme.

Mos zbatimi i procedurave të kontrollit të brendshëm me rastin e pranimit të faturave që kanë të bëjnë me protokolimin dhe evidentimin e tyre në librin e faturave si dhe vonesat në pagesa, sipas auditorit, rrisin rrezikun e hyrjes në obligime pa mbulesë buxhetore apo përballje me drejtësinë, duke krijuar edhe shpenzime shtesë dhe vështirësi buxhetore për vitet pasuese.

“Ministri duhet të sigurojë vendosjen e një sistemi efektiv në të cilin të gjitha faturat e papaguara protokolohen dhe evidentohen si dhe procedohen me kohë për pagesë në mënyrë që vlera e obligimeve të papaguara në fund të vitit (përveç atyre që janë afat) të evitohet”, thuhet në raportin ZKA-së për pasqyrat vjetor financiare të MKRS për 2019.