Ministria e Financave
Auditori: Ministria e Ekonomisë në një kontratë ndryshoi sasinë e pozicioneve pa rritur çmimin total të kontratës
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Ekonomisë kishte aplikuar ‘procedurë të negociuar të çmimit pa publikim të njoftimit për kontratë’ në tenderin “ “Krijimi i Parkut të Teknologjisë Dixhitale në Bërnicë”.
Për këtë, Ministria e Ekonomisë nuk e kishte njoftuar Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).
“Ishte aplikuar procedura e negociuar e çmimit pa publikim të njoftimit për kontratë dhe ishte lidhur aneks kontrata në vlerë 66,615.00€ (kontrata bazë ishte në vlerë 698,600€). Mirëpo në platformën e prokurimit elektronik nuk ishte bërë njoftimi që duhet dërguar në KRPP për përdorimin e kësaj procedure, ndonëse ky dokument ishte nënshkruar nga ZKA”- thuhet në raport.
ZKA ka evidentuar se në këtë projekt ishte bërë ndryshimi në realizimin e sasive në disa pozicione të kontratës bazë, përkatësisht rritja e sasive në disa pozicione në vlerë prej 33 mijë e 880 euro dhe zvogëlimi i sasive në disa pozicione tjera për të njëjtën vlerë, duke mos e ndryshuar çmimin e kontratës.
Por as për këtë nuk ishte marrë aprovimi nga ZKA.
“Kjo gjendje ishte për shkak të mos respektimit të kërkesave rregullative në menaxhimin e procedurave të prokurimit. Përderisa, menaxheri i kontratës nuk ishte në njohuri se duhej marrë aprovimi i ZKA për ndryshimet e sasive të pozicioneve të kontraktuara”- theksohet në raportin e auditimit.
Auditori ka thënë në raport se “mos njoftimi i KRPP-së për vendimin e përdorimit të procedurës së negociuar, ka pamundësuar që KRPP të mund të vendos, të kontrolloj vendimin dhe potencialisht nëse do të ishte e nevojshme, të ftojë Ministrinë për të rishikuar vendimin e saj në përputhje me opinionin e lëshuar të KRPP-së”.
Në raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2023 ZKA ka dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore. Auditori e jep opinionin e pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje me standardet.
Raporti i auditimit për Ministrinë e Ekonomisë ka rezultuar me katër rekomandime, prej tyre dy janë rekomandime të reja dhe dy janë të përsëritura.
Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili publikohet në qershor të vitit 2025. Në raportin e vitit 2022, Ministria e Ekonomisë kishte marrë pesë rekomandime.
Deri në fund të auditimit të ZKA-së për vitin 2023, tri rekomandime ishin zbatuar si dhe dy ishin pjesërisht të zbatuara.