ILUSTRIM Të burgosur në Burgun e Dubravës - Foto: KALLXO.com

Auditori: Ministria e Drejtësisë bleu ushqim dhe derivate, mori faturën pastaj bëri zotimin e mjeteve

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2022 ka gjetur se Ministria e Drejtësisë ka pasur vonesë në zotimin e mjeteve për furnizim me ushqim dhe derivate në tri raste, dy në Qendrën Korrektuese Dubravë dhe një rast në Shërbimin Sprovues të Kosovës.

Sipas ZKA-së, duke iu referuar rregullës financiare për Shpenzimin e Parasë Publike, fillimisht duhet të bëhet kërkesa për blerje, urdhërblerja, raporti i pranimit të mallit (pranohet malli apo shërbimi) dhe pas pranimit të faturës të ekzekutohet pagesa.

Ndërsa në rastet e evidentuara, në tri pagesa në vlerë totale prej 45,655 euro, fillimisht kishin pranuar faturën, ndërsa zotimin e mjeteve e kishin bërë me vonesa të cilat variojnë nga 22 deri në 27 ditë. Këto pagesa ishin për furnizim me ushqim dhe derivate.

“Shkaku i vonesave në zotimin e mjeteve ka ndodhur si rezultat i shpërndarjes së lokacioneve të qendrave korrektuese dhe specifikave të natyrës së tyre” – thuhet në raportin e auditorit.

Sipas Auditorit,  mosaplikimi i procedurave të duhura të kontrollit gjatë procesit të pagesave mund të ndikojë që ministria mos t’i kryejë obligimet e faturuara me kohë që ndikon në rritjen e obligimeve të papaguara, e të cilat do të jenë barrë për buxhetin e vitit vijues.

Auditori ka dhënë edhe rekomandim për Ministrinë e Drejtësisë, e cila udhëhiqet nga Albulena Haxhiu.

“Ministrja duhet të sigurojë se respektohen të gjitha procedurat e përcaktuara me rregulloret në mënyrë që para procedimit të pagesave, fillimisht të bëhet zotimi i mjeteve, pastaj të bëhet pranimi i mallit/shërbimit dhe faturës” – thuhet në rekomandim.

Më gjetjen e Auditorit në të cilën konstatohet se MD është vonuar në zotimin e mjeteve për këto tri raste, është pajtuar Ministria e Drejtësisë.

Sipas ZKA-së, buxheti final për mallra dhe shërbime (me shpenzime komunale) në vitin 2022 për Ministrinë e Drejtësisë ishte 8,873,434 euro, prej tyre ishin shpenzuar 8,145,609 euro.

“Ato kanë të bëjnë me furnizim me ushqim për nevojat e të burgosurve, shpenzime të arbitrazhit, furnizim me material shpenzues, derivate për ngrohje, veshmbathje për stafin korrektues, shërbime komunale, etj” – thuhet në raport.

Në vitin 2022, MD ka shpenzuar 91% të buxhetit përfundimtar ose 30,134,916€, me një ulje prej
4% në raport me vitin e kaluar.

Raporti i auditimit i vitit 2023 për Ministrinë e Drejtësisë ka rezultuar në 3 rekomandime.  Deri në fund të auditimit nga ZKA për vitin 2022, një rekomandim është adresuar, ndërsa dy rekomandime janë adresuar pjesërisht.