Auditori, mbi 1 milionë e 375 mijë euro dëmi nga përfituesit e pensioneve të dyfishta

Mijëra euro nga buxheti i shtetiti u janë paguar “gabimisht” personave të punësuar në emër të pensioneve në kategori të ndryshme.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur së në vitin 2022 ka pasur raste të përfitimit të pensioneve apo ndihmave sociale nga persona të cilët punojnë apo realizojnë të ardhura personale. Këto raste i kanë kushtuar Kosovës 275 mijë euro.

Për kategorinë e “ndihmës sociale” gabimi ka qenë 69 mijë euro ndërsa për kategorinë “DFDIL Veteran” janë realizuar 1 mijë e 207 pagesa apo 200 mijë euro pagesa ndaj personave që edhe punojnë dhe kanë përfituar pensionin e veteranit.

Sipas nenit 16.4 të ligjit Nr.04/L-261 për Veteranët e UÇK-së, ata të cilët janë të punësuar në sektorin publik dhe privat nuk kanë të drejtë të përfitimit të pensionit, si dhe sipas nenit 4.4 të ligjit Nr.04/L-096 për skemën e ndihmës sociale ndalon të drejtën për ndihmë sociale për persona të punësuar.

ZKA ka gjetur se Ministria e Financave ka paguar pensione edhe pas vdekjes së qytetarëve.

“… kemi gjetur se gjatë vitit 2022 janë realizuar gjithsej 237 pagesa në vlerë totale 46,203 euro për pensione pas vdekjes së përfituesve”-  thuhet në raportin e ZKA-së.

“Duhet theksuar se te kjo kategori e skemave pensionale krahasuar me vitin paraprak ka një progres të theksuar pasi vlera e pagesave të parregullta në raport me vitin 2021 ishte zvogëluar për 418,918 euro ( Vlera e gabimit në vitin 2021 ishte 465,121 euro kurse në 2022 ishte 46,203 euro)”- thekson ZKA.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se ka pasur raste kur qytetarët kanë përfituar më shumë se një pension nga skemat pensionale.

Sipas ligjit Nr.04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti janë: pensionet bazë të moshës, pensionet kontribut pagues të moshës, pensionet e aftësisë së kufizuar, pensionet e parakohshme, pensione familjare dhe pension invalid të punës. Sipas nenit 16 të këtij ligji personat të cilët janë përfitues të këtyre pensioneve nuk mund të jene përfitues të ndonjë pensioni tjetër nga skemat e veçanta pensionale të cilat menaxhohen nga shteti.

Pra, sipas ligjit që njeh statusin dhe të drejtat e veteranëve, familjarëve të dëshmorëve, invalidëve, ata nuk kanë të drejtë të marrin pensione nga kategoritë e tjera.

Sipas ZKA-së përfitimi i më shumë se një pensioni nga skemat pensionale i kanë kushtuar Ministrisë së Financave 1 milionë e 375 euro.

“Pagesat e pensioneve të dyfishta për personat e njëjtë pa një interpretim të bazës ligjore nga organet përgjegjëse mund të dëmtojnë buxhetin e Ministrisë”- thotë ZKA.