Auditori: KRU "Prishtina" ka kontrata të lidhura me vetëm 59% të konsumatorëve

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka kontrata të lidhura me vetëm 59% të konsumatorëve të saj.

Sipas raportit të ZKA-së të vitit 2023 për KRU “Prishtina”, kompania ofron shërbime për 187 mijë e 010 konsumatorë, ndërsa ka kontrata me vetëm 110,287 apo 59% të numrit në total.

Krahasuar me vitin paraprak, sipas ZKA-së, ka një rritje të numrit të kontratave të lidhura me konsumatorët.

“Kjo gjendje është bartur ndër vite dhe ekziston për shkak të mos bashkëpunimit të mjaftueshëm nga ana e konsumatorëve dhe mungesës së veprimeve të duhura nga kompania” – thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas ZKA-së, mungesa e marrëdhënies kontraktuese me konsumatorë për shërbimet e ofruara, pamundëson aplikimin e masave ligjore ndaj këtyre konsumatorëve në rast të mos pagesës së borxhit.

“Bordi i drejtorëve duhet të sigurojë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për lidhjen e kontratave me të gjithë konsumatorët ekzistues të cilë janë pa kontrata” – thuhet në rekomandimin e ZKA-së për KRU Prishtina.

Me këtë gjetje të ZKA-së është pajtuar edhe KRU Prishtina.

KRU “Prishtina” ka marrë opinion të kualifikuar nga ZKA në raportin e vitit 2023. Auditori jep opinion të kualifikuar kur pasqyrat financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

Në raportin e vitit 2023, KRU “Prishtina” ka marrë 19 rekomandime, prej tyre 14 janë të reja dhe 5 të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.

KRU “Prishtina” në raportin e vitit 2022 kishte marrë 10 rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, 5 prej tyre i kishte zbatuar dhe 5 nuk i kishte zbatuar.

Në vitin 2023, KRU “Prishtina” ka marrë 9 rekomandime më shumë se në raportin e vitit 2022.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për KRU “Prishtina” mund ta lexoni KËTU.