Auditori: KQZ-ja gjatë vitit 2019 pagoi për tre muaj anëtarët me mandat të skaduar

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka vlerësuar se viti 2019 ishte sfidues për KQZ-në për faktin se ishin organizuar zgjedhjet lokale në katër komuna të Kosovës si dhe zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sipas ZKA-së, si rezultat i aktiviteteve të shumta gjatë proceseve operative ka pasur edhe mangësi të cilat janë prezantuar në raport.

“Fushat ku janë vërejtur mangësi më të theksuara janë në angazhimet e stafit për zgjedhje (marrëveshje për shërbime të veçanta) ku në disa raste ishin bërë pa procedura të rekrutimit, mangësi te klasifikimi i shpenzimeve si dhe në menaxhimin e pasurisë”, thuhet në raport.

Sa i përket planifikimit dhe realizimit të buxhetit në raportin e ZKA-së thuhet se buxheti final në raport me buxhetin fillestar ishte rritur për 5,976,856 euro.

“Kjo rritje është bërë me dy vendime të qeverisë për mbulimin e shpenzimeve për mbajtjen e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, si dhe për mbajtjen e Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në raport.

Në vitin 2019, sipas raportit thuhet se KQZ-ja ka shpenzuar 89 për qind të buxhetit final ose 10,690,593 euro.

“Krahasimi me vitin paraprak në aspektin e përqindjes nuk na jep ndonjë informatë relevante nga fakti që në vitin 2019 buxheti ishte më i madh si rezultat i organizimit të dy palë zgjedhjeve të jashtëzakonshme, përderisa në vitin 2018 nuk kishte zgjedhje”, thuhet më tutje.

ZKA njofton se të hyrat e realizuara nga KQZ-ja në 2019 ishin në vlerë prej 27,974 euro.

“Ato kanë të bëjnë me të hyrat nga regjistrimi i subjekteve politike, të hyrat nga pjesëmarrja në zgjedhje si dhe të hyrat nga dënimetgjobat. Këto të hyra transferohen direkt në Buxhetin e Kosovës”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së buxheti final për paga dhe mëditje ishte 1,245,184 euro i cili ishte realizuar plotësisht.

Raporti tregon se KQZ gjatë vitit 2019 kishte paguar për tre muaj (janar – mars) pagat anëtarëve të KQZ-së të cilëve iu kishte skaduar mandati.

“Vlera e pagave të anëtarëve ishte 33,513 euro. Kjo çështje kishte ndodhur edhe në periudhën (prill – dhjetor) të vitit 2018 dhe në raportin e auditimit të vitit paraprak ishte rekomanduar KQZ që në situatat pas përfundimit të mandatit të aplikohet ndërprerja e pagave të anëtarëve pa mandate”, është thënë në raport.

Më 28 mars 2019 presidenti i Republikës kishte emëruar anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe që nga muaji prill i vitit 2019, ishte ndërprerë pagesa e anëtarëve të cilëve iu kishte skaduar mandati.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se nga 10 kontratat e testuara për shërbime të veçanta të vitit 2019 (që nuk ishin marrë nga lista e zgjedhjeve paraprake), vërejtëm se në gjashtë raste nuk kishte dëshmi se si ishin përzgjedhur.

“Sipas zyrtarëve të KQZ-së angazhimi pa ndonjë procedurë të rekrutimit kishte ndodhur për shkak të kohës së shkurt që kishin në dispozicion gjatë periudhës së zgjedhjeve të parakohshme”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së marrëveshja për shërbime të veçanta pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit kufizon konkurrencën dhe rritë rrezikun që angazhimi i stafit të bëhet në mënyrë jo transparente dhe si pasojë shërbimet e pranuara të mos jenë në përputhje me nevojat e KQZ-së.

ZKA rekomandon që kryetarja e KQZ-së duhet të siguroj se për angazhimin e stafit për shërbime të veçanta janë zhvilluar procedura të thjeshta të përzgjedhjes së tyre, në mënyrë që procesi të jetë transparent dhe të kenë mundësi të aplikojnë të gjithë ata që i plotësojnë kriteret.

Gjithashtu ZKA ka rekomanduar që kryetarja e KQZ-së dhe Kryeshefi Ekzekutiv duhet të sigurojnë se me rastin e përfundimit të mandatit të anëtarëve të KQZ-së dhe mos vazhdimit të këtij mandati, duhet të largohen nga lista e pagave dhe të mos përfitojnë benefitet tjera.

Ky rekomandim sipas ZKA-së është zbatuar.

“Anëtarët e KQZ janë pagur për tre muaj të vitit 2019 deri sa me 28.03.2019 janë mandatuar anëtarët e rinj”, është thënë në listën e rekomandimeve.