Auditori konfirmon gjetjet e KALLXO.com në lidhje me varrosjen e viktimave të COVID-19

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka shpërblyer me kontratë “Funerali” për tenderin e e varrosjes së viktimave të COVID-19 edhe pse ka qenë kompani e papërgjegjshme.

Sipas raportit të Auditorit për vitin 2021, dy nga nëntë kompanitë që kishin ofertuar (kompania “Funerali” dhe “Ngushëllimi”), janë palë të ndërlidhura dhe pavarësisht prej kësaj, SHSKUK ka shpërblyer kompaninë “Funerali.

“Në procedurën e prokurimit “Shërbime funerali COVID-19” në vlerë 158,000 euro, kemi vërejtur se dy nga nëntë kompanitë që kishin ofertuar (kompania “Funerali” dhe “Ngushëllimi”), janë palë të ndërlidhura, Bazuar në dokumentacionin e ofertuar, kemi parë që, pronari i kompanisë “Ngushëllimi” ka aksione edhe në kompaninë “Funerali” dhe po ashtu i njëjti mban pozitën e drejtorit menaxhues në të dyja kompanitë. Përkundër kësaj, SHSKUK ka shpërblyer me kontratë kompaninë “Funerali”, e cila sipas kërkesave ligjore do të duhej të vlerësohej si e papërgjegjshme”, thuhet në raportin e ZKA-së.

KALLXO.com kishte raportuar në fillim të muajit mars në lidhje me tenderin për të cilin është shpërblyer me kontratë kompania “Funerali”.

Përveç këtij tenderi, KALLXO.com ka raportuar edhe për dy tenderët e tjerë të fituar nga të njëjtit persona. Pra, sipas hulumtimeve të KALLXO.com, burrë e grua kanë fituar tre tenderët e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës për varrosjen e viktimave të COVID-19.

Përveç kësaj, shumat e tenderëve që bashkërisht kanë prekur gjysmë milion euro, janë dyfishuar e kanë tejkaluar vlerat e lejuara ligjërisht.

Hulumtim: Dosja e varrosjes së viktimave të COVID-19, burrë e grua marrin tenderët në vlerë gjysmë milion euro