Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Auditori: Komuna e Rahovecit nënshkroi 4 kontrata pa mbulueshmëri financiare

Komuna e Rahovecit që udhëhiqet nga kryetari Smajl Latifi, gjatë vitit 2020 ka nënshkruar 4 kontrata për projekte kapitale, pa pasur mbulueshmëri financiare.

Sipas raportit të Auditorit, katër kontrata e nënshkruara janë: Për projektin “Rregullimi i shtratit të Lumit në Remnik’’ me ligjin e buxhetit për vitin 2020 dhe dy vitet pasuese janë paraparë 85,000€, ndërsa kontrata e nënshkruar më 03.11.2020 ishte në vlerë 508,862€ apo 423,862€ më e lartë se vlera e planifikuar.

Rasti tjetër është më projektin “Ndërtimi i semaforëve të rinj’’, që me ligjin e buxhetit për vitin 2020 dhe dy vitet pasuese janë paraparë 40,000€, ndërsa kontrata e nënshkruar më 18.09.2020 ishte në vlerë 49,982€, apo 9,982€ më e lartë se vlera e planifikuar.

Auditori po ashtu thotë se edhe për projektin “Ndërtimi i QMF në Opterushë” me ligjin e buxhetit për vitin 2020 dhe dy vitet pasuese janë paraparë 55,000€, ndërsa kontrata e nënshkruar më 22.06.2020 ishte në vlerë 81,543€, apo 26,543€ më e lartë se vlera e planifikuar.

Rasti i fundit që e ka gjetur Auditori është për projektin “Ndërtimi i kioskut” me ligjin e buxhetit për vitin 2020 dhe dy vitet pasuese janë paraparë 5,000€, ndërsa kontrata e nënshkruar më 22.10.2020 ishte në vlerë prej 10,500€, apo 5,500€ më e lartë se vlera e planifikuar.

Auditori thekson se kjo ka ndodhur për shkak të analizave të mangëta dhe vlerësimeve jo reale të kostove financiare të projekteve me rastin e buxhetimit të tyre.

Më tej, ZKA thotë se mungesa e analizës së mirëfilltë të kostove financiare për projektet kapitale, dhe nënshkrim i kontratave përtej limiteve buxhetore, krijon vështirësi dhe çrregullon rrjedhën financiare të komunës duke qenë se duhet të bëhen shumë përshtatje buxhetore dhe ridestinime të mjeteve për të mbuluar deficitin e këtyre projekteve.

Sipas Auditorit, kjo pamundëson realizimin e projekteve tjera të parapara të realizohen nga mjetet e ridestinuara.

Në fund, Auditori ka rekomanduar që kryetari duhet të siguroj se do të aplikoj ligjin e prokurimit – të inicioj një aktivitet prokurimi vetëm pasi që të ketë kryer një vlerësim formal të nevojave dhe të nënshkruaj një kontratë për projekte kapitale vetëm në rast se shpenzimet e tilla janë të parapara në ligjin e buxhetit për vitin fiskal dhe për dy (2) vitet në vijim.