Auditori: Komuna e Rahovecit bëri pagesa pas afateve ligjore
Komuna e Rahovecit gjatë vitit 2020 ka realizuar disa pagesa ndaj furnitorëve pas afatit ligjor, që është prej 30 ditësh.
Kjo është një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020, e që thuhet se nga analiza e bazës së furnitorëve, auditori ka identifikuar se në 1,321 raste pagesat në vlerë totale 2,661,959€ ishin realizuar pas afatit kohor ligjor prej 30 ditësh.
Sipas ZKA-së, vonesat variojnë nga një muaj deri në 5 vite dhe shkaku i kësaj dukurie ishte hyrja në obligime pa fonde të mjaftueshme, si dhe mos funksionimi i kontrollit të brendshëm.
Auditori ka theksuar se hyrja në obligime pa mbulesë të mjeteve dhe vonesat në pagesa mund të ndikojë në rritjen e obligimeve të cilat krijojnë implikime buxhetore për vitin vijues dhe rrezikojnë të shkaktohen shpenzimeve shtesë për shkak se pagesat mund të realizohen direkt nga Thesari bazuar në vendime gjyqësore/përmbarimore.
Në fund auditori ka rekomanduar që kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, duhet të forcojë kontrollet në procesin e menaxhimit të pagesave për të siguruar që komuna mos të hyjë në obligime pa fonde të mjaftueshme dhe që të gjitha faturat paguhen brenda afatit ligjor.
Në anën tjetër, sipas nenit 39.1 të ligjit Nr.03/L-048 për MFPP çdo faturë e vlefshme dhe kërkesë për pagesë për mallra dhe shërbimet e furnizuara dhe/ose punët e realizuara për organizatën buxhetore duhet të paguhen brenda tridhjetë (30) ditëve kalendarike pas pranimit të faturës.