Auditori: Komuna e Lipjanit në 10 raste lëshoi urdhërblerje pas pranimit të faturave
Rregulla financiare për shpenzimin e parave publike përcakton hapat për procedimin e pagesave, ku fillimisht bëhet kërkesa për blerje, lëshohet urdhërblerja, bëhet pranimi i mallrave dhe shërbimeve apo punëve, dhe pastaj pranohet fatura. Mirëpo, kjo procedurë nuk është ndjekur në disa raste nga ana e Komunës së Lipjanit sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të vitit 2023.
Në raportin e ZKA-së për këtë komunë është thënë se në gjashtë pagesa për investime kapitale dhe katër pagesa për mallra e shërbime në vlerë totale 428 mijë e 15 euro, urdhërblerjet ishin përgatitur pas pranimit të faturave.
Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur për shkak të kontrolleve të pamjaftueshme në zbatimin e hapave për kërkesë dhe lëshim të urdhërblerjes.
ZKA tha se përgatitja e urdhërblerjeve me vonesë krijon paqartësi në përmbushjen e kushteve kontraktuale për realizim dhe liferim me kohë të mallrave dhe shërbimeve apo punëve.
Auditori i rekomandoi kryetari që të sigurojë se pranimi i mallrave dhe shërbimeve apo punëve t’i paraprijë urdhërblerja.
Komuna e Lipjanit është pajtuar me këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Kjo komuna ka marrë opinion të pamodifikuar nga ZKA. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Në raportin e vitit 2023, kjo komunë ka marrë nëntë rekomandime, prej tyre pesë rekomandime të reja, tri të përsëritura, dhe një pjesërisht e përsëritur. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.
Ndërsa në raportin e Auditorit për këtë komunë në vitin 2022 ishin gjithsej 10 rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, pesë rekomandime ishin zbatuar, një është zbatuar pjesërisht, një nuk është i aplikueshëm më ndërsa për tri rekomandime tjera nuk ka filluar zbatimi.
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Komunën e Lipjanit mund ta gjeni në këtë LINK.