Ilustrim | Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Auditori: Komuna e Graçanicës vonoi lëshimin e lejeve ndërtimore deri në 6 muaj

Zyra Kombëtare  e Auditimit ka gjetur se Komuna e Graçanicës ka vonuar lëshimin e lejeve ndërtimore nga një deri në gjashtë muaj në katër raste të audituara.

Sipas Auditorit, Komuna e Graçanicës kishte dështuar të shqyrtojë lëshimin e lejeve ndërtimore brenda afatit të paraparë me ligj.

Në raportin e auditimit për Komunën e Graçanicës thuhet se kjo ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së Drejtorisë së Urbanizmit për ta lëshuar lejen ndërtimore ashtu siç është e paraparë me ligj.

Gjithashtu sipas ZKA-së kjo do të ndikojë që aplikuesit të fillojnë ta bëjnë ndërtimin pa leje.

Sipas Ligjit për Ndërtim, nëse janë përmbushur kushtet e parapara me këtë ligj dhe nëse aplikuesi ka paraqitur dëshmi për pagesën e taksës së lejes ndërtimore, organi kompetent brenda 30 ditësh për kategorinë I dhe brenda 45 ditëve për kategoritë II dhe III e lëshon lejen ndërtimore duke llogaritur nga data e paraqitjes së kërkesës.

“Nëse organi kompetent nuk e ka informuar aplikuesin për vendimin e tij brenda afatit të përcaktuar do të konsiderohet se leja është lëshuar”, thuhet në raport.