Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Auditori: KEK-u për 3 vjet ka lidhur kontrata në vlerë 377 mijë euro për reklamime në media

Korporata Energjetike e Kosovës gjatë viteve 2018, 2019 dhe 2020 ka lidhur plot 98 kontrata të negociuara, me vlerë prej 377 mijë e 140 euro, për reklamime nëpër media të ndryshme në Kosovë. Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, asnjëherë nuk ishte matur efekti i këtyre kontratave.

Kështu bëhet e ditur në raportin e auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020)”, të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Sipas këtij raporti, objektiv shtesë nga këto kontrata ishte promovimi i Qendrës së Trajnimeve Profesioneale (QTP), që është në kuadër të KEK-ut.

Në këtë raport, ZKA-ja thotë se KEK-u nuk kishte kërkuar nga asnjë medium që të sillte çfarëdo dëshmie lidhur me audiencën dhe rrjedhimisht, Auditori thotë se kapaciteti i secilit medium në drejtim të realizimit të objektivave të synuara të KEK-ut ishte i panjohur.

“KEK-u kishte lidhur këso kontrata vit pas viti duke shpenzuar mesatarisht 162 mijë euro në vit, pa e matur asnjëherë efektin e këtyre kontratave”, thuhet në raport.

Shuma më e lartë që KEK-u kishte paguar për këtë shërbim për një medium ishte 8,400 euro në vit.

Nga analiza e faqes së internetit, që ZKA-ja i ka bërë KEK-ut, ka gjetur se ky medium i kishte kontribuar qarkullimit apo klikimeve në faqe të KEK-ut me 0.01%.

Ndërsa një medium tjetër që ishte paguar 3 mijë euro në vit, i kishte kontribuar klikimeve në faqen e KEK-ut me 51%.

“Kjo sipas analizës së qarkullimit (Google analytics) në vitin 2019. As për këtë OE KEK-u nuk ka të dhëna se sa janë lexuar artikujt që janë publikuar në ueb faqen e tij. KEK-u nuk e kishte bërë këtë analizë, edhe pse e kishte pasur mundësinë, e për pasojë kishte vazhduar t’i kontraktojë të njëjtit OE-e me të njëjtat çmime ndërsa kontributi i secilit OE në drejtim të realizimit të synimit të KEK-ut ishte i ndryshëm”, thuhet në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se edhe pse KEK-u e kishte të instaluar aplikacionin ‘Google Analytics’, që shërben për monitorimin e klikimeve në një faqe të internetit, ata nuk e kishin përdorur ansjëherë për realizimin e kontratave me mediumet.

“Të dhënat e gjeneruara nga Google Analytics për trafikun e referimeve për vitet 2018-2020 tregojnë se më së shumti referime janë bërë përmes njërit prej portaleve të kontraktuara, gjithsej 28,096 referime (vlera e pagesës për tri kontrata ishte 7,200 euro – e renditur si 25-ta për nga përfitimi), derisa përmes mediumit i cili kishte përfituar më së shumti (19,600 euro për tri kontrata), ishin bërë vetëm 16 referime gjatë viteve 2018-2020”, thotë ZKA-ja.

Tutje, Auditori thotë se ndikimi i reklamimeve në media për promovimin e Qendrës së Trajnimeve, nuk vërehet fare, pasi që të hyrat nuk kishin pasur rritje, me përjashtim në vitin 2019.

“Menaxhimi jo i duhur i kontratës, mungesa e objektivave të qarta dhe mungesë e analizave të të dhënave që ishin në dispozicion për menaxherin e kontratës si dhe për njësinë kërkuese, ishte faktor kryesor për mungesë të informatave lidhur me kostot/përfitimet nga aktiviteti i prokurimit. Mungesa e këtyre informatave kishte pamundësuar një vendimmarrje më të mirë”, thuhet në raport.

“Për pasojë KEK-u ka vazhduar të lidhë numër të madh të kontratave për promovim në media që kanë pasur kosto të konsiderueshme pa ditur se sa janë përfitimet që kanë rrjedhë prej tyre gjegjësisht pa ditur se a kanë arritur vlerë për paranë e shpenzuar”, vazhdon raporti.

Në lidhje këtë të gjetur të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Korporata Energjetike e Kosovës nuk është pajtuar.

Në komentet në Raportin e ZKA-së, KEK-u ka thënë se ky aktivitet nuk ndërlidhet domosdoshmërisht me produktin, që sipas tyre, në asnjë rrethanë nuk është reklamuar produkti, por aktivitetet e Korporatës.

“KEK-u ka një buxhet prej afër 200 milionë euro që në përqindje shuma e shpenzuar për promovim të punës dhe aktiviteteve të KEK—ut, është më pak se 0.01% e të hyrave vjetore”, ka thënë KEK-u.

Tutje, në koment thuhet se KEK-u si ndërmarrje publike me aksionar 100% Qeverinë e Kosovës, ka për obligim të tregojë transparencë të plotë dhe sipas tyre, kjo bëhet përmes njoftimeve në media, si dhe promovimin e punës.

“Për më tepër ky aktivitet ka pas për qëllim edhe promovimin e Qendrës së Trajnimeve Profesionale (QTP) të KEK-ut. Kjo për faktin se QTP ka funksionuar kryesisht për punonjësit e KEK-ut, mirëpo duke qenë se kapacitetet e saja kanë treguar se ne këtë qendër mund të trajnohen edhe kandidatë jashtë KEK-ut, është menduar që kjo qendër të promovohet me qëllim të mbulimit të së paku një pjese të shpenzimeve nga të hyrat e kandidatëve jashtë KEK-ut”, thuhet në komentin e Korporatës Energjetike, drejtuar ZKA-së, e që është i publikuar në Raportin e Auditimit.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për KEK-un, mund ta gjeni KËTU.