
Auditori jep detaje për pagesën e 53 milionë eurove për "Bechtel & Enka"
Qeveria e Kosovës nuk i ka përfillur afatet e marrëveshjes së saj me konsorciumin “Bechtel & Enka” sa i përket pagesës së borxhit prej 53 milionë eurove për autostradën “Arbën Xhaferi”, Prishtinë – Hani i Elezit.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka nxjerrë raportin e auditimit për Ministrinë e Infrastrukturës ku ka përmendur edhe pagesën që Qeveria e Kosovës ia ka bërë konsorciumit “Bechtel & Enka” me vlerë prej 53 milionë euro.
Sipas Auditorit, pagesa e 53 milionë eurove ishte paraparë të bëhej në 12 këste me nga 4 milionë e 425 mijë euro për një këst.
Auditori ka gjetur se pagesat ndaj “Bechtel & Enka” janë kryer pas afatit kohor.
“Po ashtu, faturat apo obligimet ndaj furnitorit Bechtel Enka në vlerë totale 49,888,561€ ishin paguar pas afatit kohor ligjor prej 30 ditësh. Faturat ishin nga viti 2018”, thuhet në raportin e Auditorit.
Në marrëveshjen në mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe konsorciumit, përfundimi i pagesës së 12 kësteve ishte paraparë për jo më larg se 1 qershori i vitit 2019.
Auditori ka gjetur se deri në fund të vitit 2019 janë paguar vetëm 48 milionë euro, ndërsa kishin mbetur edhe 4 milionë e 425 mijë euro pa u paguar.
“Ne kemi vërejtur se, deri në fund të vitit 2019, pagesa e mjeteve për shlyerjen e obligimeve sipas marrëveshjes ishte ekzekutuar në shumën 48,675,000€, ndërsa vlera 4,425,000€ nuk është paguar ende”, thuhet në raport.
Sipas Auditorit kjo kishte ndodhur për shkak se Ministria kishte lidhur kontrata për projekte pa i siguruar fondet e mjaftueshme.
“Shkak për vonesat në pagesa ishin kryesisht mungesa e mjeteve financiare, pasi që për disa nga këto projekte në vitet e mëparshme ishin lidhur kontrata pa fonde të mjaftueshme”, thuhet tutje në raport.
Autostrada Prishtinë – Hani Elezit “Arbën Xhaferi” në bazë të kontratës fillestare do duhej të përfundonte më 1 janar të vitit 2018. Kontrata fillestare, në bazë të planit dinamik fillestar, do t’i kushtonte shtetit 608 milionë euro (pas rritjes së TVSH-së nga 16 në 18%).
Mirëpo shteti i Kosovës ishte detyruar të paguante 53 milionë euro shtesë për shkak të zvarritjes së pagesave nga ana e Qeverisë.
Këtu mund ta gjeni raportin e plotë të Auditorit.