Ilustrim

Auditori: Ish-kryetari i Gjilanit subvencionoi një OJQ pa thirrje publike

Komuna e Gjilanit gjatë vitit 2021 kishte bërë subvencionimin e një Organizate Jo-Qeveritare në vlerë prej 17,350 euro pa ndonjë thirrje publike.

OJQ “Vepro” ishte subvencionuar vetëm me një vendim të ish-kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në emër të manifestimit ‘Flaka e Janarit 2021’.

Kështu ka gjetur Auditori përmes raportit të auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2021 për Komunën e Gjilanit.

“Në emër të manifestimit “Flaka e Janarit 2021”, Kryetari i Komunës me vendim të datës 23.04.2021, kishte subvencionuar Organizatën Joqeveritare (OJQ) “Vepro” në vlerë 17,350€, pa bërë thirrje publike siç kërkohet me rregullore. Sipas komunës kjo kishte ndodhur për shkak të gjendjes pandemike”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Auditori ka thënë se subvencionimi i OJQ-ve vetëm me vendim nga kryetari pa bërë thirrjen publike, përjashton konkurrencën, transparencën si dhe ndikon në trajtimin jo të barabartë të OJQ-ve.

“Kryetari duhet të sigurojë se me rastin e subvencionimit të OJQ-ve do të respektohen kërkesat e dala nga rregullorja, ashtu që për mbështetja financiare për OJQ-të të bëhet me thirrje publike”, ka rekomanduar më tej ZKA.

Në anën tjetër, Neni 12 paragrafi 1 i Rregullores për Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit publik të OJQ-ve, parasheh se ”Çdo mbështetje financiare për OJQ-të duhet të shpallet me thirrje publike, e cila duhet të publikohet në ueb faqen e ofruesit të mbështetjes financiare”.