Ilustrim

Auditori: Institucionet kanë blerë bileta deri gjashtë herë më të shtrenjta se biletat e klasës ekonomike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar shpenzime të panevojshme në shërbimet e transportit. Kjo për shkak të blerjes së numrit të madh të biletave të klasave më të larta se klasa ekonomike e udhëtimit, e që ishin prej dy deri në gjashtë herë më të shtrenjta se biletat e klasës ekonomike.

Në raport thuhet se institucionet kishin bërë shpenzime më shumë se që kishin paraparë fillimisht, kryesisht për shkak se çmimi mesatar i biletave të blera kishte rezultuar më i lartë se sa çmimi mesatar i biletës, i parashikuar me rastin e tenderimit nga ana e Agjencisë Qendrore të Prokurimit.

Kjo për shkak të numrit të madh të biletave të klasave më të larta se klasa ekonomike e udhëtimit.

Gjashtë nga nëntë organizatat buxhetore të audituara kishin blerë bileta të klasave më të larta se klasa ekonomike.

“Mesatarisht 31% e vlerës së përgjithshme të biletave të audituara të kontratës së parë i takonin biletave që janë më të larta se klasa ekonomike e udhëtimit. Si pasojë, kontrata e parë ishte ndërprerë nëntë muaj para datës së caktuar të skadimit, duke imponuar nisjen e aktivitetit të ri të prokurimit njëmbëdhjetë muaj më herët”, theksohet në raport.

Auditori ka theksuar se qasja e Agjencisë Qendrore të Prokurimit gjatë zhvillimit të aktivitetit të prokurimit për kontratën e dytë nuk ishte më ndryshe sa i përket parashikimit të çmimit mesatar.

“Kontrata e dytë ishte duke u zbatuar me ritëm të ngjashëm me të parën – ku 23% të shpenzimeve totale të audituara ishin për bileta të klasave më të larta se ekonomike – duke rrezikuar që të skadojë shumë më herët se afati i kontraktuar”, vazhdon raporti.

Aty thuhet se situata pandemike me virusin COVID-19 ndryshoi rrjedhën normale të aktiviteteve qeveritare (u mbyllën kufijtë dhe u reduktua qarkullimi ajror) që e uli trendin e shpenzimeve të organizatave buxhetore në transportin ajror.

“Kështu, kontrata e dytë vazhdon të jetë në fuqi (potencialisht) deri kur të arrihet tavani prej 130% e vlerës së kontratës kornizë të centralizuar”, theksohet në raport.

Sipas raportit, bazuar në gjetjet e auditimit rezulton se tre faktorët kryesor që kanë ndikuar në rritjen e vlerës së shpenzimeve për shërbimet të transportit ajror janë udhëtimet në biznes klasë, shtyrjet e udhëtimeve dhe anulimet e udhëtimeve.

“Shuma e rimbursimit për biletat e anuluara ishte mesatarisht rreth 59% e çmimit blerës. Kjo nënkupton se rreth 41% e vlerës së biletave të anuluara janë shpenzime për bileta që nuk janë shfrytëzuar, gjë që ka kontribuar në rritjen e shpenzimeve të përgjithshme të kontratave për shërbime të transportit ajror duke i quar në skadim të parakohshëm”, thuhet në raport.

Gjatë krahasimit të biletave të klasës ekonomike me klasat tjera, Auditorit ka gjetur se këto të fundit ishin prej dy deri në gjashtë herë më të shtrenjta se biletat e klasës ekonomike.

Për më shumë, organizatat buxhetore që kishin anuluar bileta, kishin arritur të rimbursojnë prej 5% deri në 97% të çmimit blerës të biletës. Gjithsej vlera që nuk kishin mundur ta rimbursojnë ishte rreth 16,000 euro, ndërsa mbi 2,700 euro ishin paguar për shtyrje të datës së udhëtimit.

Po ashtu, ZKA ka rekomanduar institucionet si shfrytëzuese të këtyre shërbimeve që të përdorin klasën ekonomike për t’i shmangur shpenzimet e larta të transportit ajror, si dhe të planifikojnë udhëtimet më mirë në mënyrë që të shmangin nevojën për anulime dhe shtyrje të udhëtimeve.

Shërbimet e transportit ajror për herë të parë janë kontraktuar në mënyrë të centralizuar në vitin 2016. Deri në nëntor 2020, për këtë lloj shërbimi janë lidhur dy kontrata kornizë, njëra tanimë e zbatuar ndërsa e dyta ka afat deri në dhjetor të vitit 2021.

Vlera e realizuar e kontratës së parë ishte afër 5,7 milionë euro ndërsa, me kontratën e dytë deri në janar 2020 ishin shpenzuar afër 3,7 milionë euro nga afërsisht 4,7 milionë euro të parapara të shpenzohen. Përgjegjëse për zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit (që kanë rezultuar me lidhjen e këtyre dy kontratave) është Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Në këto dy kontrata, janë përfshirë organizatat buxhetore të nivelit qendror dhe të nivelit lokal. Fillimisht, në kontratën e parë ishin përfshirë kryesisht organizatat buxhetore të nivelit qendror pastaj në kontratën e dytë ishin përfshirë edhe ato të nivelit lokal.

Për të vlerësuar nëse furnizimi me bileta për shërbimet e transportit ajror është kryer në përputhje me kontratat, ZKA ka audituar një numër të konsiderueshëm të këtyre furnizimeve në organizatat buxhetore në vijim: Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme – përfshirë Policinë e Kosovës si agjenci e saj, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, komunën e Gjilanit, Gjakovës, Vushtrrisë dhe Suharekës.

Agjencia Qendrore e Prokurimit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme
përfshirë Policinë e Kosovës si agjenci të saj, Ministria e Drejtësisë, Zyra e Kryeministrit, komuna e
Vushtrrisë, Gjakovës, Suharekës dhe Gjilanit janë pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit si
dhe janë zotuar se do t’i adresojnë rekomandimet e dhëna.

Ndërsa, ZKA nuk ka pranuar përgjigje nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Inkurajojmë subjektet e përfshira në këtë auditim që t’i bëjnë të gjitha përpjekjet për t’i adresuar rekomandimet e dhëna”, thuhet në raport.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.