Foto: ZKA

Auditori identifikon mangësi në sistemin e menaxhimit të 83 mijë pagave në sektorin publik

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se procesi i ekzekutimit të pagave si dhe sistemi që menaxhon këtë proces ka nevojë për përmirësim, me qëllim të rritjes së efektivitetit dhe saktësisë së të dhënave.

ZKA në raportin e saj thotë se rezultatet e auditimit tregojnë se Thesari nuk ka të vendosur strukturë organizative të përshtatshme për funksionimin e duhur të sistemit dhe procesi i punës nuk ishte i bazuar në objektiva strategjike për të mbështetur këtë sistem duke rrezikuar që të mos përmbush objektivin e tij rreth menaxhimit të pagave për sektorin publik.

“Vendosja e divizionit të TI-së dhe divizionit të pagave në pozicion jo të duhur, ndarja joadekuate e detyrave si dhe mungesa e strukturës së qartë organizative, bëjnë që procesi i pagave të mos mund të jetë transparent dhe llogaridhënës, gjithashtu rrezikon në mosarritjen e qëllimeve dhe përmbushjen e nevojave të tij”, thuhet në raportin e auditimit.

ZKA në raport ka renditur disa mangësi të tjera që janë vërejtur në sistemin e menaxhimit për pagat në sektorin publik.

“Gjithashtu në sistemin e pagave fusha për regjistrimin e përvojës së punës nuk kishte të vendosur kontrollet hyrëse të nevojshme. Sistemi nuk mundëson regjistrimin e kategorive të veçanta për zyrtarët publik si dhe janë identifikuar raste me statusin e dy pagave primare në sistem. Mangësi janë identifikuar edhe në kalkulim te përvojës së punës ku shtesa e përvojës së punës nuk kalkulohet në muajin në të cilin përmbushet kriteri prej një viti si dhe kalkulimi i shtesës së përvojës së punës bëhet për një vit më pak nga sa ju takon dhe  nuk është në përputhje me vitet në sistem”, thuhet në raport.

Për mangësi në kalkulimin  përvojës së punës, auditori thotë se kjo mangësi kishte filluar të paraqitet qysh nga viti 2018.

Sipas gjetjeve të këtij auditimi, Thesari nuk kishte hartuar një procedurë për menaxhimin dhe  monitorimin e llogarive të përdoruesve të sistemit për menaxhimin e pagave, ekzistojnë qasje të plota të të njëjtit zyrtarë në aplikacion dhe në bazën e të dhënave të SMP-së si dhe nuk ka mekanizma për monitorimin e aktiviteteve të këtyre përdoruesve.

Kjo sipas auditorit mund të ndikoj në rritjen e rrezikut të mos identifikimit të gabimeve apo keqpërdorimeve të mundshme.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka rekomanduar që institucionet përgjegjëse që t’i ndërmarrin hapat e nevojshme për të siguruar se sistemi që përdoret për menaxhimin e pagave t’i përmbajë standardet e kërkuara duke  menaxhuar  në mënyrë efikase shpërndarjen e tyre.

Kjo pasi sipas saj se në sistemin për menaxhimin e pagave menaxhohen rreth 30% të shpenzimeve të buxhetit të shtetit dhe administrohen mesatarisht 83 mijë paga çdo muaj.

Zyra Kombëtare e Auditimit përmes këtij raporti të auditimit ka dhënë 19 rekomandime për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.