Auditori i Përgjithshëm viziton Zyrën Supreme të Auditimit të Çekisë

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, i shoqëruar nga zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu sot kanë zhvilluar një vizitë pune në selinë e Zyrën Supreme të Auditimit të Çekisë, në Pragë, ku u pritën në një takim të veçantë nga presidenti i këtij institucioni, Miloslav Kala.

Sipas një komunikate për media, në këtë takim u bisedua për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve supreme të auditimit; për procesin e zbatimit të marrëveshjes bilaterale, si dhe për involvimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në institucione të rëndësishme të auditimit në nivel rajonal dhe evropian.

Me këtë rast, Auditori i Përgjithshëm i Republikës Çeke, Kala ka shprehur gatishmërinë e institucionit të tij për të thelluar bashkëpunimin ndërinstitucional përmes zhvillimit të aktiviteteve bilaterale si dhe duke ofruar ekspertizën në kuadër të Projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë”, i cili zbatohet nga Zyra Supreme e Auditimit e Polonisë.

Kurse, Osmani e ka falënderuar auditorin e Çekisë për përkrahjen e tij të vazhdueshme dhe ka ritheksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi bilateral me homologët çekë në zhvillimin e mëtejmë profesional të personelit auditues të ZKA-së si dhe arritjen e standardit evropian të cilësisë së auditimeve, si parakushte për integrimin e ZKA-së në programet dhe organizatat rajonale dhe evropiane.

Tutje thuhet se Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës dhe ajo e Republikës së Çekisë, në muajin maj të këtij viti kanë nënshkruar memorandumin për bashkëpunim në fusha të rëndësishme profesionale midis dy institucioneve dhe synon shkëmbimin e praktikave të mira audituese, veçmas në lidhje me metodologjinë dhe procedurat e auditimit të jashtëm të sektorit publik; aktivitetet profesionale për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve institucionale e njerëzore; përmirësimin e komunikimit me palët e jashtme, si dhe shkëmbimin e përvojave përmes auditimeve paralele.