Auditori i Përgjithshëm viziton Gjykatën Evropiane të Auditorëve

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka vizituar sot Gjykatën Evropiane të Auditorëve (ECA) në Luksemburg.

Osmani gjatë takimit me kryetarin e ECA-së, Klaus Hainer Lehne, biseduan për bashkëpunim në nivel profesional.

“Bisedimet u fokusuan në vazhdimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në nivel profesional. Temë e bisedimeve ishte edhe pjesëmarrja e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKAK) në programet dhe aktivitetet e institucioneve evropiane të auditimit’, thuhet në njoftimin E Zyrës Kombëetare të Auditimit.

Gjatë këtij takimi, Osmani ka ururar Lehne për emërimin e tij edhe për një mandat tjetër si President i ECA-së dhe ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme dhënë ZKAK-së, veçanërisht për ofrimin e mundësive për auditorë e ZKAK-së që të marrin pjesë në programet e praktikës profesionale.

Sipas ZKAK-së, kjo paraqet një mundësi shumë të mirë për auditorët që të njoftohen me praktikat e mira evropiane për auditim dhe të mësojnë drejtpërsëdrejti nga ekspertët e ECA-së.

“Presidenti i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, Lehne, i vlerësoi të arriturat e ZKAK-së dhe rikonfirmoi mbështetjen e ECA-së për ZKAK-në si në zhvillimin e kapaciteteve profesionale ashtu edhe në përfshirjen e ZKAK-së në programet e organizimet rajonale dhe evropiane të auditorëve”, thuhet në njoftim.