Auditori gjeti shkelje në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për mos dërgim të planit për subvencionim të OJQ-ve

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës në raportin vjetor të vitit 2019 ka gjetur se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk dorëzoi listën për subvencionimin e organizatatave jo-qeveritare te zyra përkatëse në zyrën e kryeministrit, ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi.

Dërgimi i kësaj liste të OJQ-ve do të duhej të dërgoj më së voni pas 30 ditësh, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhë. Krejt kjo, sipas Auditorit të Përgjegjshëm ishte bërë nga neglizhenca.

“Rregullorja Nr. 04/2017 mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve – neni 6 ‘Plani vjetor i mbështetjes financiare’ parasheh se ofruesit e mbështetjes financiare përgatisin pjesën e planit vjetor të mbështetjes financiare për OJQ-të më së largu 30 ditë pas miratimit të buxhetit vjetor të Republikës së Kosovës dhe i dërgojnë atë zyrës përkatëse për qeverisje të mirë pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës”, thuhet në raportin e Auditorit.

MMHP-ja gjatë vitit 2019 u drejtua nga Fatmir Matoshi i AKR-së ndërsa në krye të ekzekutivit kosovar ishte Ramush Haradinaj i AAK-së.

Duke neglizhuar këtë procedurë, Zyra e Kryeministrit, përkatësisht zyra për qeversije të mirë, nuk kishte qenë në dijeni për përkrahjen e 33 OJQ-ve nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“MMPH kishte subvencionuar 33 OJQ gjatë vitit 2019. Ministria nuk kishte dërguar planin vjetor të mbështetjes financiare për OJQ-të në zyrën përkatëse për qeverisje të mirë pranë Zyrës së Kryeministrit , siç parashihet me rregulloren për subvencionim të OJQ-ve. Kjo kishte ndodhur për shkak se MMPH e kishte neglizhuar këtë proces”, thuhet tutje në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Mos dërgimi i planit vjetor të mbështetjes financiare ndikon që Zyra e Kryeministrit të mos ketë informacion për shumën e mbështetjes financiare për vitin fiskal, fushat në të cilat do të ofrohet mbështetja financiare për OJQ, objektivat e mbështetjes financiare dhe kohën realizimit të projekteve përfituese”, thuhet në raport.

Ky institucion i ka rekomanduar ministrit të MMPH që ministri duhet të siguroj që më së largu 30 ditë pas miratimit të buxhetit vjetor të shtetit, të përgatisin planin vjetor të mbështetjes financiare për OJQ-të dhe t’ia dërgojnë atë zyrës përkatëse për qeverisje të mirë pranë Zyrës së Kryeministrit.