Foto: Facebook

Auditori gjen shumë shkelje në raportin financiar të ndërmarrjes "Hortikultura”

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin për pasqyrat financiare vjetore të ndërmarrjes publike lokale ‘Hortlikultura’ sh.a për vitin 2020.

Sipas zyrës së auditorit, pasqyrat financiare të ndërmarrjes nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare të Hortikulturës deri më 31 dhjetor 2020, të performancës së saj financiare, si dhe rrjedhës së parasë së gatshme për vitin 2020, më përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.

Disa prej gjetjeve të auditorit janë si në vijim:

Kompensimi i anëtarëve të Bordit Drejtues me ndihmë financiare pa të drejtë ligjore

Auditori gjithashtu ka gjetur se Bordi Drejtues i Kompanisë, edhe përkundër kërkesës ligjore që pagesat për drejtorët e Bordit Drejtues të bëhen sipas Vendimit të Aksionarit, kishte marrë vendim për kompensim me dy paga shtesë për anëtarët e saj, në shumën 3,528€, në emër të ndihmës financiare.

Gjithashtu bazuar në raportin e komisionit për inventarizim, sipas audiorit, vlera e stoqeve ishte 66,025€, shumë e cila nuk ishte përfshirë në pasqyrën e pozicionit financiar por, për këtë zë kontabël ‘“Rezerva e rivlerësimit” ishte prezantuar vlera zero, duke nënvlerësuar gjendjen e stoqeve për këtë shumë.

Raporti nxjerr se ka pasur mangësi në regjistrimin e shpenzimeve të zhvlerësimit për asetet e rivlerësuara. Sipas konfirmimeve zyrtare, kjo ka ndodhur si pasojë e sistemit softuerik që nuk e mundëson një regjistrim të saktë të rezervës së rivlerësimit dhe shpenzimeve të zhvlerësimit për ndërtesën.

Auditimi i bërë nga ZKA, gjenë mosprezantim të saktë i pasurive jo qarkulluese. Aty theksohet se, për 39 asete nga testimet e kryera, zhvlerësimi i akumuluar nuk ishte njohur saktë dhe si rezultat vlera në libra ishte mbivlerësuar për 68,171€.

Bazuar në konfirmimet zyrtare, një zhvlerësim i tillë është zbatuar, pasi që këto asete që ishin dhuruar nga Komuna e Prishtinës dhe është vazhduar zhvlerësimi njëjtë siç e kishte zbatuar Komuna.

Mos zhvlerësimi i saktë i aseteve gjatë jetës së përdorimit, ka ndikuar në mbivlerësimin e aseteve dhe në mos prezantim të saktë të vlerës së tyre në pasqyrat financiare.

Sipas Auditorit, asetet e financuara nga grantet (25 asete), ishin regjistruar në kontabilitet në vlerë 264,392€, mirëpo sipas analizës, vlera neto e tyre në libra do të duhej të ishte 208,000€. Rrjedhimisht, asetet ishin nënvlerësuar për 56,392€, dhe si pasojë, zëri kontabël “Të hyrat e shtyra” nuk ishte prezantuar saktë në Pasqyrën Financiare. Për më tepër, informatat financiare lidhur me asetet e financuara nga grantet nuk ishin të përfshira në shënimet kontabël të Kompanisë, por ato mbahen në një regjistër –fletë Exceli, dhe kjo paraqet mosprezantim të saktë tëtë hyrave të shtyra nga grantet.

Gjithashtu, është parë se ka pasur mosmbyllje të llogarisë së përkohshme kontabël (pezull), pasi në raport e Zyrës së Auditorit thuhet se llogaria kontabël “Konton kontrolluese”, në shënimet kontabël kishte një tepricë debitore në shumën 933,991€. Mos mbyllja e llogarisë së përkohshme ndikon në mos prezantim të saktë të gjendjes financiare të kompanisë në Pasqyrën Financiare, saktëson raporti i ZKA-së.

Mungesa e tarifave për shërbimet e ofruara e mosprezantim i saktë i shënimeve shpjeguese

Si rrjedhojë e mangësive të cilat janë identifikuar dhe prezantuar në këtë raport për zërat në vijim: të hyrat e shtyra, pasuritë jo qarkulluese, kapitalin dhe stoqet, janë paraqitur mangësi edhe në shënimet shpjeguese, të cilat nuk japin informacione të plota dhe të sakta. Auditori në raportin e tyre po ashtu ka gjetur, mos prezantim të saktë të pasqyrës së rrjedhës së parasë dhe mos harmonizim të raportit të inventarizimit dhe regjistrit të aseteve.

Gjithashtu, ZKA evidenton në raport edhe mungesën e tarifave për shërbimet e ofruara. Sipas auditorit, kompania kishte lidhur kontrata me dy klientë për kryerjen e shërbimeve. Megjithatë, çmimi i shërbimeve i përcaktuar në këto kontrata nuk ishte i bazuar në ndonjë kosto tarifore të miratuar nga Bordi. Kjo për shkak se, Bordi i Drejtorëve nuk kishte nxjerr një tarifë në të cilën do të përcaktohen tarifat me rastin e kryerjes së shërbimeve. Shërbimet e ofruara gjatë vitit 2020 ishin në vlerë 7,508€

Nënshkrimi i kontratës për furnizim pa siguri të ekzekutimit dhe shpallja publike e konkursit në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ si dhe Rregulloren e Brendshme për Sistematizimin e vendeve të punës, janë të gjeturat tjera të ZKA-së për këtë ndërmarrje.
Në raport thuhet se kompania ka kryer procedura të rekrutimit pa u plotësuar numri i kërkuar i kandidatëve të cilët plotësojnë kërkesat e konkursit.

Në procesin e rekrutimit për pozitën “Bashkëpunëtor profesional në prokurim”, edhe pse nuk kishte së paku tre kandidatë të cilët kanë plotësuar kushtet e konkursit, nuk ishte anuluar konkursi për t’u përsëritur.

Në konkursin e shpallur për plotësimin e pozitës “Bashkëpunëtor profesional në prokurim”, nuk ishte përcaktuar kohëzgjatja e emërimit për këtë pozitë, si dhe në kriteret për plotësimin e vendeve të punës nuk ishte kërkuar përvoja një vjeçare në prokurim, si kërkesë për plotësimin e kësaj pozite që rrjedhë nga Rregullorja e brendshme për sistematizimin e vendeve të punës.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për ndërmarrjen publike lokale ‘Hortlikultura’ sh.a e gjeni këtu.