Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Auditori gjen se Ministria e Shëndetësisë pranoi garancion bankar mbi 7 mijë euro më të ulët sesa që e kishte kërkuar
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Shëndetësisë ka pranuar një garancion bankar me vlerë më të ulët sesa që e kishte kërkuar.
Sipas ZKA-së, te kushtet e kontratës “Sistemi i mbikëqyrjes dhe paralajmërimit të sëmundjeve”, është përcaktuar që kompania implementuese e projektit ka për obligim mirëmbajtjen dhe avancimin e sistemit pas pranimit për periudhën një vjeçare.
Për t’u siguruar që kompania do ta përmbushë obligimin për mirëmbajtjen njëvjeçare, ZKA tha se Ministria ka kërkuar një garancion bankar në vlerën e shpenzimeve të mirëmbajtjes prej 49 mijë e 843 euro.
Auditori gjeti se garancionin bankar që kishte ofruar kompania implementuese dhe pranuar nga Ministria kishte vlerën prej 42 mijë e 240 euro, me një diferencë prej 7 mijë e 603 euro.
“Vlen të theksohet se pas konstatimit të kësaj diference, gjatë procesit të auditimit MSH në muajin prill 2024 e ka siguruar garancionin bankar edhe për këtë pjesë” – theksoi Auditori.
Tutje u shtua se kjo ka ndodhur nga pakujdesia e verifikimit të vlerës në momentin e pranimit të garancionit bankar nga menaxheri i kontratës, dhe mosparandalimi nga nivelet tjera të kontrollit.
ZKA shtoi se në rast të mospërmbushjes së kontratës nga OE, vlera e garancionit bankar nuk e mbulon vlerën e dëmit, e cila mund të ndikojë në përmbushjen e kontratës dhe funksionimin e plotë të sistemit.
Auditori rekomandoi që ministri të sigurohet përmes stafit përgjegjës që para se të realizohet pagesa, të verifikohet nëse vlera e garancionit bankar është plotësisht në përputhje me kërkesën.
Ministria e Shëndetësisë u pajtua me këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për Ministrinë e Shëndetësisë në raportin vjetor për pasqyrat finaciare për vitin 2023. Auditorët mund të japin tre lloje opinionesh të modifikuara: opinion të kualifikuar, opinion të kundërt dhe mohim të opinionit. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.
Raporti i Auditorit për MSh-në për vitin 2023 ka rezultuar me gjashtë rekomandime, prej tyre katër janë rekomandime të reja dhe dy të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.
Ndërsa në raportin e Auditorit për këtë ministri në vitin 2022 ishin gjithsej 7 rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, pesë rekomandime ishin zbatuar ndërsa për dy rekomandime tjera nuk kanë filluar zbatimi.
Raportin e plotë të auditimit të vitit 2023 për Ministrinë e Shëndetësisë me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet mund ta gjeni KËTU.