Ilustrim

Auditori gjen parregullsi në subvencionet e ndara nga Komuna e Shtërpcës

Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin për Komunën e Shtërpcës ka gjetur se kjo Komunë nuk ka arritur të sigurojë dëshmitë kthyese për subvencionet që ka dhënë.

Përmes raporteve kthyese që merr nga përfituesit e subvencioneve, Komuna arrin të arsyetojë se ku dhe si janë shpenzuar mjetet e dhëna.

Sipas Zyrës së Auditimit, obligimet e përfituesit të subvencionit përcakton se përfituesi duhet të sjell tek autoriteti kontraktues, që në këtë rast është Komuna, raportim me shkrim si dhe raportin financiar për mjetet e shpenzuara.

“Në katër nga pesë mostrat e testuara në vlerë të përbashkët prej 1,000€, përfituesit e subvencioneve nuk kishin përgatitur raporte financiare dhe nuk kishin ofruar dëshmi, të cilat do të dëshmonin se subvencioni është shfrytëzuar për qëllimin e dhënë”, thuhet në Raportin në fjalë.

Sipas Raportit, kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës së zyrtarëve përkatës në zbatimin e kërkesave të marrëveshjes në rast të mos raportimit.

Po ashtu, në Raport është e cekur se mosraportimi i përfituesve të subvencioneve lidhur me realizimin e qëllimeve të subvencionuara, e rrit rrezikun që mjetet  të shfrytëzohen për qëllime tjera.

Ndërsa rekomandimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Shtërpcës është se kryetari duhet të sigurojë se përfituesit e subvencioneve raportojnë për mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve sipas kritereve të përcaktuara në marrëveshje, në të kundërtën, të zbatohen kërkesat e marrëveshjes në rast të mos raportimit.

Zyra Kombëtare e Auditimit këtë muaj ka publikuar Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Shtërpcës, për vitin 2019.

Në këtë raport janë të theksuara disa gjetje. Një ndër gjetjet e këtij raporti është mungesa e dëshmive kthyese për arsyetimin e subvencioneve të dhëna.