Auditori gjen mangësi në regjistrimin e pasurisë në PZAP

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në vitin 2019 në disa raste nuk i ka regjistruar pasuritë në regjistrat përkatës.

Auditimin e pasqyrave financiare të PZAP-së e ka kryer kompania “ETIKA Co” Sh.p.k. në emër të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Gjatë testimeve Auditori ka vërejtur që dy pagesa në vlerë 5,595 euro, njëra për derën me “access control” në vlerë 3,870 euro kurse tjetra për blerjen e mobileve në vlerë 1,725 euro nuk ishin regjistruar në regjistra të pasurive. Më tej, në raportin e auditimit thuhet se ato nuk figuronin as në regjistrin e stoqeve.

Sipas PZAP-së, dobësitë në mos përfshirjen e blerjes së mobileve në “E-pasuri” ka ndodhur si rezultat i migrimit të shënimeve nga platforma e vjetër në platformën e re të softuerit “E-pasuria”, e që ka rezultuar në mos bartjen e tyre. Ndërsa sa i përket mos regjistrimit të derës kjo nuk është regjistruar për faktin se objekti ku është i vendosur PZAP është nën menaxhimin e MAP-it.

Sipas rregullores për menaxhimin e pasurive jo financiare në organizatat buxhetore përcaktohet që pasuria kapitale duhet të regjistrohet në SIMFK ndërsa pasuria jo kapitale dhe stoqet duhet të regjistrohen në sistemin “E-pasuria”.

Sipas Auditorit, mos regjistrimi i pasurive në regjistrat përkatës reflekton me prezantim jo të drejtë të pasurisë në PFV-të e PZAP-së.

“Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-së duhet t’i sigurojë të gjitha pasuritë janë të regjistruara në regjistrat përkatës, në mënyrë që prezantimi i tyre në PFV të jetë i plotë dhe i saktë”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për vitin 2019.

Auditori i ka dhënë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa opinion të pamodifikuar në pasqyrat financiare vjetore për vitin 2019, duke shtuar se ato prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale.

“Sipas opinionit tonë, Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme”, ka theksuar Auditori.

Buxheti final në raport me buxhetin fillestar ishte rritur për 52,514 euro. Kjo rritje vjen si rezultat i vendimeve të Qeverisë, për arsye të shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në komunat, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan si dhe për arsye të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvend të Kosovës.

Në vitin 2019, PZAP-ja ka shpenzuar 90% të buxhetit final ose 243,316  euro, me një përkeqësim prej 1% krahasuar me vitin 2018, ku shpenzimet ishin 91%. Buxheti final në kategorinë e pagave dhe mëditjeve në raport me buxhetin fillestar ishte rritur për 26,714 euro me vendime të Qeverisë për angazhimet shtesë gjatë procesit zgjedhor për anëtarët e PZAP-së.

Buxheti final te kategoria e mallrave dhe shërbimeve në raport me atë fillestar ishte rritur me vendim të Qeverisë për vlerën 25,800 euro si buxhet shtesë për angazhimin e 15 zyrtarëve jo permanent gjatë procesit të Zgjedhjeve te Parakohshme për Kuvend të Kosovës të mbajtura me 6 tetor të vitit 2019 si dhe për furnizim me formular të ankesave për procesin zgjedhor.

Në kategorinë e shërbimeve komunale, buxheti final në raport me buxhetin fillestar nuk kishte ndryshime. Buxheti final në këtë kategori ishte shpenzuar vetëm 5%, pasi shpenzimet e komunale i kryen MAP-i.

Të hyrat e realizuara nga PZAP në 2018 ishin në vlerë 94,450 euro. Këto janë të hyra nga shqiptimi i gjobave për ankesat e bëra nga subjektet politike ose individë tjerë si dhe konstatimit nga paneli zgjedhor se shkelja ka ndodhur.

Buxheti final për 2019 është 163,869 euro, ku shpenzimi ishte 100%. Numri i të punësuarve sipas buxhetit ishte 20 ndërsa në fund të vitit numri i tyre ishte 19.

“Kemi testuar 35 mostra për teste substanciale në vlerë 29,418 euro, si dhe 8 mostra për teste të pajtueshmërisë. Nga mostrat e testuar nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim”, theksohet në raportin e auditimit.

Buxheti final për mallra dhe shërbime në vitin 2019 ishte 99,413 euro, prej tyre ishin shpenzuar 79,071 euro. Ndërsa buxheti i komunalive prej 7,820 euro ishte shpenzuar 376 euro. Sipas Auditorit, këto shpenzime kanë të bëjnë kryesisht me udhëtime jashtë vendit, furnizim për zyrë, mirëmbajtjes, furnizimeve për formularët e ankesave, derivate, shpenzime për komunali si dhe shpenzime tjera.

“Për këto shpenzime, kemi testuar 36 mostra për teste substanciale në vlerë 24,114 euro si dhe 5 mostra për teste të pajtueshmërisë. Nga mostrat e testuara nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim”, vazhdon raporti i auditimit të vitit 2019.

Vlera e paraqitur në pasqyrat financiare vjetore e pasurive kapitale është 1,711 euro, pasurive jokapitale është 13,883 euro, si dhe e stoqeve 22,673 euro.

Vlera e llogarive të arkëtueshmeve në fund të vitit 2019 ishte 281,200 euro, prej tyre 276,300 euro ishin gjoba të shqiptuara ndaj subjekteve politike gjatë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës që ishin mbajtur me 6 tetor 2019, kurse shuma prej 4,900 euro janë gjoba të bartura nga vitet paraprake.

“Nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim”, thuhet në raportim.

Pasqyra e detyrimeve të papaguara ndaj furnitorëve në fund të vitit 2019, ishte 7,670 euro. Këto detyrime janë bartur për t’u paguar në vitin 2020.

Pasqyra e detyrimeve të kontingjente e paraqitur në PFV ishte zero euro.

“PZAP-ja ka konfirmuar se nuk ka obligime kontraktuale për faktin se është shfrytëzuese e kontratave të Agjencisë Qendrore të Prokurimit – AQP-së ku janë të përfshira të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës. Nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim për kapitullin e detyrimeve”, ka thënë Auditori në raportin e vitit 2019.

Më tej, Auditori ka thënë se në bazë të kërkesave ligjore, PZAP-ja nuk i plotëson kriteret për themelimin e Njësisë për Auditim të Brendshëm.

“Ne inkurajojmë menaxhmentin që të bëjë një rishikim të nevojave për auditim të brendshëm dhe të konsiderojë mundësinë e arritjes së një marrëveshje me ndonjë organizatë tjetër të sektorit publik që të shfrytëzojë shërbimet e auditimit të brendshëm. Nuk kemi ndonjë mangësi domethënëse për raportim në këtë fushë”, thuhet në raport.

Në vitin 2018, Auditori nuk i kishte dhënë asnjë rekomandim Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.