Avokati i Popullit

Auditori gjen mangësi në menaxhimin e sistemit E-pasuria te Avokati i Popullit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Institucioni i Avokatit të Popullit në vitin 2019 ka pasur mangësi në menaxhimin e sistemit të E-pasurisë dhe raportimin e tyre në pasqyrat vjetore financiare.

Auditimin e pasqyrave financiare të Institucionit të Avokatit të Popullit e ka kryer kompania “ETIKA Co” Sh.p.k. në emër të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Për shkak të mangësive në sistemin E-pasuria, përkatësisht të migrimit të shënimeve nga platforma e vjetër në platformën e re, Institucioni i Avokatit të Popullit në pasqyrat vjetore financiare kishte prezantuar pasuritë nën 1 mijë euro në bazë të kalkulimeve të brendshme (në formatin Excel), pasi e-pasuria nuk ofronte siguri në kalkulimin e saktë të zhvlerësimit.

“Lidhur më këto shënime, ne kemi kryer testet tona dhe nuk kemi identifikuar ndonjë dobësi”, thuhet në raportin e auditimit të vitit 2019.

Arsyeja që Institucioni i Avokatit të Popullit kishte vazhduar të përdor për raportim formatin Excel në vend të e-pasurisë edhe përkundër rekomandimit të vitit të kaluar, ishte mos përfundimi i migrimit apo bartjes së shënimeve në platformën e re të e-pasurisë.

Neni 22 i rregullores për Menaxhimin e Pasurisë jo Financiare, përcakton që të gjitha pasuritë kapitale dhe jo kapitale duhet t’i nënshtrohen normave të zhvlerësimit. Ndërsa neni 24 përcakton që paraqitja në pasqyrat vjetore financiare për pasuritë nën 1 mijë euro duhet të bëhet nga sistemi e-pasuria me vlerë kontabël neto.

Sipas Auditorit, raportimi i pasurive nga formati Excel ndikon që raportimi apo shpalosja e tyre të mos jetë në përputhje me kërkesën e rregullores për menaxhimin e pasurive jo financiare dhe që vlera e tyre të mos jetë e saktë në pasqyrat financiare vjetore.

“Avokati i Popullit duhet të sigurohet që procesi i migrimit të shënimeve është kryer më qëllim që regjistri E-pasuria të jetë funksional dhe ofron informata të sakta në PFV”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2019.

Auditori i ka dhënë Institucionit të Avokatit të Popullit opinion të pamodifikuar në pasqyrat financiare vjetore për vitin 2019, duke shtuar se ato prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale.

“Sipas opinionit tonë, Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme”, thekson Auditori.

Buxheti final në raport me buxhetin fillestar ishte zvogëluar për 126,391 euro. Ky zvogëlim është rezultat i kursimeve buxhetore nga Institucioni i Avokatit të Popullit dhe vendimit të Qeverisë të datës 7 dhjetor 2019. Në vitin 2019, Institucioni i Avokatit të Popullit ka shpenzuar 92% të buxhetit final ose 1,143,429 euro, me nën shpenzim prej 2% krahasuar me vitin 2018.

Buxheti final për paga dhe mëditje krahasuar me buxhetin fillestar ishte zvogëluar për 47,966 euro. Zvogëlim të buxhetit final kishte edhe te kategoria e mallrave dhe shërbimeve në vlerë 61,425 euro, si dhe për shërbimet komunale në vlerë 17 euro.

Të kategoria e investimeve kapitale nuk kishte ndryshime buxhetore. Ky zvogëlim i buxhetit ishte me vendim të Qeverisë së Kosovës të 17 dhjetor 2019 si dhe kursimeve buxhetore nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Buxheti final për paga dhe mëditje është 942,935 euro, aq sa edhe ishte shpenzuar. Numri i të punësuarve sipas buxhetit ishte 81 ndërsa në fund të vitit numri i tyre ishte 74. Gjatë vitit 2019 ishin punësuar 2 të rinj.

“Kemi testuar 39 mostra për teste substanciale në vlerë 942,935 euro, si dhe 21 mostra për teste të pajtueshmërisë. Nga mostrat e testuara nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim”, thuhet në raport.

Buxheti final për mallra dhe shërbime në vitin 2019 ishte 247,928 euro, ndërsa ishin shpenzuar 195,231 euro. Te shpenzimet komunale buxheti ishte 8,500 euro, prej të cilave ishin shpenzuar 5,263 euro. Sipas Auditorit, ato kanë të bëjnë kryesisht me shpenzime për udhëtime zyrtare, shpenzime kontraktuese tjera, dreka zyrtare, mirëmbajtje, qira, botime, shpenzime të telefonit, furnizime për zyre dhe shpenzime tjera.

“Kemi testuar 43 mostra për teste substanciale në vlerë 57,453 euro si dhe 13 mostra për teste të pajtueshmërisë. Nga mostrat e testuara nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim”, ka theksuar Auditori.

Buxheti final për investime kapitale ishte 48 mijë euro, prej tyre në 2019 nuk i kishte shpenzuar fare. Shpenzimet kanë qenë të planifikuara për blerjen e tri veturave, mirëpo për shkak që Autoriteti Qendror i Prokurimit (AQP) nuk kishte arritur të realizonte blerjet përmes procedurave të prokurimit, buxheti i Institucionit të Avokatit të Popullit ka mbetur i pashpenzuar.

“Andaj lidhur me këtë kategori, nuk kemi asnjë mostër për teste substanciale dhe të pajtueshmërisë, dhe nuk kemi ndonjë mangësi për raportim”, vazhdon raporti i auditimit në vitin 2019.

Vlera e paraqitur e pasurive kapitale është 75,075 euro, e pasurive jokapitale është 74,563 euro, si dhe e stoqeve 35,040 euro.

“Ne kemi testuar 41 mostra për teste substanciale në vlerë 9,839 euro si dhe një mostër për teste të pajtueshmërisë. Lidhur me menaxhimin e pasurive ne kemi vërejtur si në vijim: Pasqyra e detyrimeve të papaguara ndaj furnitorëve në fund të vitit 2019, ishte 1,573 euro. Këto detyrime janë bartur për t’u paguar në vitin 2020”, thuhet në raportin e Auditorit.

Pasqyra e detyrimeve kontigjente në pasqyrat financiare vjetore ishte me vlerë zero.

Vlera e detyrimeve kontraktuale ndaj furnitorëve në fund të vitit 2019, ishte 47,167 euro. Sipas Auditorit, Institucioni i Avokatit të Popullit kishte kontrata të cilat ishin nënshkruar nga Autoriteti Qendror i Prokurimit, prej të cilave disa ishin kontrata kornizë e disa me çmime për njësi.

“Nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim për kapitullin e detyrimeve”, përfundon raporti.

Në vitin 2018, Institucioni i Avokatit të Popullit kishte marrë dy rekomandime, prej tyre në vitin 2019, një e ka adresuar dhe tjetrin e ka adresuar pjesërisht.

Në vitin 2019, Institucioni i Avokatit të Popullit ka marrë vetëm një rekomandim. Adresimin e këtij rekomandimi do ta shohim në raportin e auditimit të vitit 2020.