Auditori gjen mangësi në menaxhim të kontratave në Ferizaj

Në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë gjetur mangësi në menaxhimin e kontratave në Komunën e Ferizajt.

Procesi i tenderit “Furnizimi me reagenca për nevojat e QKMF-së” në Ferizajt kishte filluar me vonesë për më shumë se një muaj.

Hapja e ofertave për aktivitetin e prokurimit ishte bërë më 16 shtator 2019, mirëpo procesi i vlerësimit kishte filluar me vonesë.

Në tri raste menaxheri i kontratës nuk kishte përgatitur planin për menaxhimin e kontratave si pjesë e përgatitjes së aktivitetit të prokurimit.

Në raportin e auditimit thuhet se Autoriteti Kontraktues, në këtë rast Komuna e Ferizajt, duhet të prodhojë një plan menaxhimi të kontratës, duke përfshirë në veçanti çështjet e aspekteve organizative, ekonomike, teknike dhe ligjore, mirëpo gjithashtu është potencuar se zyrtarët përkatës nuk ishin në dijeni se duhet të bëhet hartimi i një plani të tillë.

Sipas Udhëzimit Operativ të Prokurimit Publik – UOPP, procesi i vlerësimit të tenderit do të fillojë jo më vonë se 5 ditë pas përfundimit të procesit të hapjes së tenderëve.

“Kryetari duhet të sigurojë që procesi i vlerësimit të filloj menjëherë pas hapjes së ofertave (brenda afateve ligjore), dhe të obligoj menaxherët e kontratave që planet për menaxhimin e kontratave të jenë hartuar para fillimit të zbatimit të tyre në mënyrë që kontratat të monitorohen në baza të rregullta”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

Për Komunën e Ferizajt ishin ndarë 6 milionë e 733 mijë e 456 euro për mallra dhe shërbime dhe si shërbimet komunale, prej tyre komuna ka shpenzuar 6 milion e 628 mijë e 488 euro.

Këto të holla kryesisht ishin shpenzuar për zyrë, derivate dhe lëndë të tjera për ngrohje, komunale, mirëmbajtje të objekteve dhe shpenzime kontraktuese të tjera.

Komuna e Ferizajt kalon 30% të kontratës për Investimet Kapitale

Procedura jo në pajtueshmëri me Ligjin për Prokurim Publik dhe pagesa nga buxheti i projekteve tjera Auditori i ka gjetur edhe në Investimet Kapitale në Komunën e Ferizajt.

Në kontratën kornizë “Rikonstruimi i rrjetit të ndriçimit publik” zyra e auditorit ka identifikuar se në dosjen për tender nuk ishte definuar nëse ishte aplikuar kontrata për çmimin për njësi.

ZKA ka raportuar se nga analiza e paramasës dhe parallogarisë është parë se në shumicën e pozicioneve AK – Autoriteti Kontraktues, në këtë rast Komuna e Ferizajt,  kishte përcaktuar vetëm me një sasi, përderisa për disa pozicione kishte përcaktuar më shumë sasi.

Në rrugën “Vezir Jashari” në Ferizaj, sipas kontratës në pozicionin numër 43 ishte e përcaktuar një sasi përderisa janë realizuar 120 njësi, situatë e ngjashme ka ndodhur edhe në pozicionin numër 45 ku ishte paraparë një njësi por në fakt janë vendosur nëntë njësi.

Ky projekt kishte vlerën 110 mijë euro dhe është vërejtur tejkalim në pozicion mbi 30%.

“Me datën 29.09.2020 komuna kishte nënshkruar kontratë kornizë tri vjeçare me vlerë të parashikuar 2 milion e 380 mijë euro përderisa vlera e kontratës sipas pozicioneve ishte 86 mijë e 425 euro. Në qoftë se kjo kontratë kornizë do të ishte me sasi indikative atëherë vlera e saj përfshirë edhe 30% që lejohet do të ishte rreth 15% e vlerës së parashikuar të kontratës”, thuhet tutje në raport.

Përveç kontratës prej 2 milionë e 380 mijë euro në buxhetin e vitit 2020 si dhe në vlerësimin për dy vitet e ardhshme ishin ndarë mjete në vlerë prej 580 mijë euro. Ndërsa në buxhetin e vitit 2021 dhe vlerësimin për dy vitet e ardhshme ishte planifikuar vlera e plotë e kësaj kontrate.

Poashtu, gjatë monitorimit auditori ka gjetur se nga kjo kontratë në vlerë prej 20 mijë e 25 euro ishte regjistruar gabimisht si shpenzim për projektin “Kolektori Verior i Kanalizimit Fekal për Fshatin Talinoc”.

“Mospërfillja e procedurave adekuate gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit rrit rrezikun që të mos përzgjidhet oferta më e mirë për komunën, dhe ndikon që të shfaqen probleme edhe te realizimi i kontratës (duke tejkaluar sasitë prej 30%). Nënshkrimi i kontratave në mungesë të fondeve të mjaftueshme, shkakton vështirësi financiare dhe vonesa në realizimin e kontratave, si dhe rritje të obligimeve të papaguara”, sqarohet në raport.

Në këtë raport poashtu është gjetur se Komunë e Ferizajt ka punësuar kundërligjshëm 33 punëtorë.

 

Komuna e Ferizajt punësoi kundërligjshëm 33 punëtorë