Auditori: Fabrika për përpunimin e mbetjeve shtazore u regjistrua si pasuri në përdorim, pa u funksionalizuar

Fabrika për përpunimin dhe riciklimin e produkteve nënshtazore në vlerë prej 119 mijë euro ishte klasifikuar dhe regjistruar si pasuri në përdorim nga ana e Agjencisë së Ushqimit dhe Verterinarisë, ndonëse nuk është funksionalizuar ende.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e fundit financiar për Zyrën e Kryeministrit, ku përfshihet edhe AUV, thekson se fabrika në fjalë është dashur të klasifikohet si investim në vijim, ngase për të  nuk ishte bërë pranimi teknik dhe fabrika akoma nuk ishte në përdorim.

KALLXO.com ka raportuar rreth misterit për mosfunksionimit të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore.

“Nga 20 mostra të testuara në AUV, në një rast, një pjesë e pasurisë ’’fabrika për përpunimin dhe riciklimin e produkteve nënshtazore’ në vlerë 119,000€ ishte klasifikuar dhe regjistruar si pasuri në përdorim, ndërsa është dashur të klasifikohet si investim në vijim, ngase për këtë fabrikë nuk ishte bërë pranimi teknik dhe fabrika akoma nuk ishte në përdorim, ndërsa zhvlerësimi i llogaritur ishte 4,214€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori thekson se  klasifikimi jo adekuat i pasurive jo financiare shkakton mangësi në raportim të informatave rreth pasurive, ndërsa kalkulimi i gabuar i zhvlerësimit ndikon në nënvlerësimin/mbivlerësimin e vlerës së pasurisë.

Krerët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës kishin folur me mburrje në nëntorin e vitit 2018 kur ishte përuruar një pjesë e fabrikës për përpunimin dhe asgjësimin e mishit të kafshëve të ngordhura dhe mbetjeve ushqimore. Ishte thënë se kjo është fabrika e parë e këtij lloji në Rajon, e ndërtuar falë një donacioni të Bashkimit Evropian përmes fondit të IPA-së.

Edhe pse kanë kaluar 43 muaj që prej kohës kur ishte finalizuar objekti administrativ dhe industrial, i financuar nga BE-ja, kjo fabrikë nuk është funksionalizuar ende pasi Kosova nuk i ka kryer detyrat e saj. Ndërtimi i objektit administrativ dhe industrial ishte finalizuar me 29 dhjetor 2017 dhe ishte në kuadër të llotin e dytë që ishte financuar nga BE-ja.

Kurse në llotin e parë të këtij tenderi ishte paraparë rregullimi i infrastrukturës së jashtme përfshirë objektin për trajtimin e ujërave të zeza që është financuar nga Qeveria e Kosovës.

Misteri i mosfunksionimit të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore