Auditori Besnik Osmani takohet me homologun e tij të Emirateve të Bashkuara Arabe

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani gjatë vizitës zyrtare në Emiratet të Bashkuara Arabe, është takuar me homologun e tij, Harib Saeed Al Amimi.

Sipas një njoftimi, qëllimi i kësaj vizite është intensifikimi i bashkëpunimit në mes të dy institucioneve dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e auditimit të jashtëm të sektorit publik.

Osmani e ka njoftuar homologun e tij lidhur me progresin e arritur të Zyrës Kombëtare të Auditimit në zhvillimin e kapaciteteve institucionale e njerëzore për auditimin e institucioneve publike në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA).

Bëhet e ditur së presidenti i Institucionit Shtetëror të Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Dr. Harib Saeed Al Amimi, njëherësh edhe Kryesues i Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) është shprehur se ka përcjellë me vëmendje të veçantë punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe ka vlerësuar arritjet .

“Gjatë qëndrimit në Abu Dhabi, Auditori i Përgjithshëm i shoqëruar nga Qëndresa Mulaj, Udhëheqëse e Kabinetit të AP-së dhe Fitim Haliti, Drejtor për Auditimin e Ndërmarrjeve Publike do të bashkëbisedojnë me kolegët nga institucioni homolog i Emirateve të Bashkuara Arabe edhe për përvojën dhe sfidat për auditimin bazuar në rrezik, auditimet e Teknologjisë Informative si dhe menaxhimin e cilësisë në auditim”, thuhet në komunikatën e Zyrës Kombëtare të Auditimit.