Agjencia Kosovare e Privatizimit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Auditori: AKP-ja nxori urdhër blerje pas pranimit të faturës

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2023 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit ka gjetur se kjo Agjenci ka nxjerrë urdhër blerje pas pranimit të faturave.

Një gjë e tillë sipas Auditorit u gjet në 8 raste në vlerë totale 66 mijë e 381 euro, kur urdhër blerjet ishin proceduar pasi kishte ardhur fatura.

ZKA tha se me rastin e pagesës “Furnizim me material higjienik, në vlerë 5 mijë e 297 euro” sipas Kontratës, afati kohor për dorëzim ishte 48 orë nga koha e lëshimit të urdhër blerjes nga ana e AK, ndonëse OE ishte vonuar 13 ditë për liferim malli ishte e pa mundur aplikimi i penaleve pasi Urdhër blerja ishte nxjerr tetë ditë pasi kishte ardhur malli, dhe porosia ishte bërë me email.

Auditori theksoi se kjo ishte si pasojë e dështimit të kontrolleve nga zyra e prokurimit me rastin e procedimit të urdhër blerjes.

ZKA tha se pranimi i mallrave dhe shërbimeve si dhe faturës para se të procedohet urdhër blerja përveç që paraqet shmangie të procedurave të përcaktuara me rregulla financiare njëkohësisht pamundëson përcjelljen e implementimit të kontratës sa i përket liferimit të mallit.

Në raport, Auditori i rekomandoi Bordit të Drejtorëve të sigurohet që urdhër blerjet lëshohen para se të pranohen mallrat dhe faturat, në mënyrë që të respektohen procedurat dhe të evitohen blerjet e pa kontrolluara.

AKP-ja u pajtua me këtë të gjetur të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka marrë opinion të pamodifikuar nga ZKA. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

Ky raport ka rezultuar me tri rekomandime, prej tyre një rekomandim është i ri dhe dy rekomandime të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.

Ndërsa në raportin e Auditorit për këtë Agjenci në vitin 2022 ishin gjithsej 7 rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, pesë rekomandime ishin zbatuar ndërsa për dy rekomandime tjera nuk kanë filluar zbatimi.