Ilustrim, Foto nga KALLXO.com

Auditori: Agjencia e Privatizimit angazhoi 68 punëtorë me kontrata mbi vepër pa procedura

Agjencia  Kosovare e Privatizimit gjatë vitit 2019 ka angazhuar 68 punonjës me marrëveshje për shërbime të veçanta (kontrata mbi vepër), pa zhvilluar ndonjë procedurë formale të rekrutimit.

Kjo është një nga të gjeturat e Raportit të Auditimit të kësaj agjencie për vitin 2019.

Nga 11 kontrata sa ka analizuar auditori, në mesin e tyre  kanë vërejtur se pesë punëtorë janë angazhuar dy herë brenda vitit, përderisa dy persona janë angazhuar që nga viti 2016, përkatësisht 2017 duke iu vazhduar kontratat nga 6 muaj.

Sipas Auditorit, angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit, kufizon konkurrencën dhe rritë rrezikun që përzgjedhja e stafit të bëhet në mënyrë jo transparente dhe si pasojë shërbimet e pranuara të mos jenë në përputhje me nevojat e AKP-së.

“Kryesuesi i bordit duhet të siguroj se për angazhimin e stafit për shërbime të veçanta zhvillohen procedura të thjeshtëzuara të rekrutimit, në mënyrë që procesi të jetë transparent. Po ashtu, duhet të ndërmerren veprime që nevojat për pozitat të rregullta të adresohen në MF gjatë planifikimit dhe të buxhetohen dhe paguhen nga kategoria e pagave e mëditjeve”, ka rekomanduar më tej Auditori.

Në anën tjetër, Ligji për Shërbimin Civil, në nenin 12 përcakton se kohëzgjatja e marrëveshjeve për shërbime të veçanta (MSHV) duhet të jetë për një periudhë më të shkurtër se (6) gjashtë muaj për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit, dhe kandidatët potencial i nënshtrohen Ligjit për Detyrime. Angazhimet e tilla lejohen të bëhen vetëm për punë specifike dhe në kushte të veçanta e të paparashikuara.