Auditori: 79 profesorë të UP-së të me punë sekondare pa miratim

79 profesorë, të cilët kanë marrëdhënie të rregullte pune me UP-në, njëkohësisht janë të angazhuar me punë sekondare në universitetet tjera në kuadër të MASh-it.

Kjo është një nga të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm, në raportin e të cilit thuhet se për këto angazhime, këta profesorë nuk kishin marrë miratimet paraprake nga ana e ish-rektorit të UP-së, Marjan Dema.

Tutje, Auditori ka theksuar se në një rast, profesori në Fakultetin e Filologjisë së UP, ishte i angazhuar me kontratë edhe në dy institucione të tjera, për të njëjtën periudhë kohore.

“Njëra kontratë ishte si profesor i rregullt në njërin nga Universitetet private dhe një kontratë tjetër për honorarë në Universitetin Ukshin Hoti në Prizren. Kjo kishte ndodhur për shkak se profesorët nuk kishin kërkuar miratim për punë sekondare nga menaxhmenti i UP-së në njërën anë, dhe monitorimi i dobët i menaxhmentit të UP-së ndaj personelit akademik në anën tjetër”, ka shtuar më tej ZKA.

Auditori ka shtuar se angazhimet e profesorëve për punë shtesë pa miratimin e menaxhmentit, përveç se është në kundërshtim me kërkesat e rregullores për të ardhurat personale të personelit akademik, ndikon në cilësisë e procesin arsimor për shkak të angazhimeve të shumta të personelit akademik.

ZKA po ashtu ka kërkuar nga ana e rektorit se duhet të rishikoj të gjitha rastet e identifikuara dhe të marr masa përkatëse ndaj të gjithë personelit që nuk zbaton rregulloret.

Kurse, rregullorja për të ardhura personale të personelit akademik, në nenin 6 përcakton se: Personeli akademik në marrëdhënie të rregullt pune në UP mund të angazhohet me honorar në institucionet tjera, pasi që më parë të ketë marrë pëlqimin nga Dekani dhe miratimin nga rektori i UP-së, kurse neni 5 përcakton se: personeli me marrëdhënie të rregullt pune në UP (akademik ose jo – akademik) nuk mund të ketë marrëdhënie tjetër të rregullt të punësimit me normë të plotë në ndonjë universitet apo institucion tjetër.