Ilustrim

Auditori: 13,656 biznese ende nuk janë fiskalizuar në Kosovë

Numri i bizneseve që nuk janë fiskalizuar në Kosovë është 13,656, pjesa më e madhe prej tyre janë mikro-biznese me qarkullim deri në 5 mijë euro në vit.

Kjo gjetje është evidentuar në raportin e auditimit të Administratës Tatimore të Kosovës për vitin 2021.

“Ne kemi vërejtur që përkundër përpjekjeve të bëra nga ATK, fiskalizimi i plotë i të gjitha bizneseve mbetet ende sfidë. Pjesën më të madhe të tyre prej 9,794 biznese apo rreth 72% e përbëjnë mikro bizneset me qarkullim vjetor deri në 5 mijë euro”, thuhet në gjetjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Rezistenca e vazhdueshme e bizneseve për pajisje me arka fiskale për shkak të kostos së pajisjeve me arka fiskale mirëpo dhe problemet gjatë procesit të funksionalizimit të sistemit të ri për arka fiskale, thuhet në raport të jetë arsyeja përse këto biznese nuk u fiskalizuan.

Sipas Auditorit, kjo rrezikon të ketë mungesë të informatave të veprimtarive ekonomike si dhe mundësinë për evazion tatimor dhe rezulton me konkurrencë jo të barabartë ndërmjet bizneseve.

Kreut të këtij institucioni të tatimeve në vend, iu rekomandua që të sigurohet që bizneset të fiskalizohen sipas kërkesave ligjore.

“Drejtori i Përgjithshëm duhet të sigurojë se të gjitha bizneset të cilat i plotësojnë kriteret për fiskalizim do të pajisen me pajisjet elektronike fiskale (PEF) sipas kërkesave ligjore”, rekomandon Zyra Kombëtare e Auditimit.

Gjetjen për fiskalizim të bizneseve, ZKA e bazon në udhëzimin administrativ UA nr. 02/2018 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale neni 4, pika 1.1, ku specifikohet se të gjithë personat që bëjnë furnizime të mallrave dhe/ose shërbimeve në objektet, njësitë ose vendet të cilat mund të jenë në qasje të publikut, janë të obliguar që të shfrytëzojnë pajisjet elektronike fiskale (PEF) dhe pajisjet tjera të obligueshme për regjistrimin dhe vërtetimin e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve.

Më tutje, neni 4, pika 3, sqaron se personi të cilit i referohet obligimi i përcaktuar me paragrafin 2 të këtij neni dhe i cili njëkohësisht kryen edhe aktivitete që nuk janë të përjashtuara ose të liruara nga detyrimi i regjistrimit përmes arkës fiskale dhe të transferimit të të dhënave përmes terminalit te serveri i ATK-së, në kuptim të paragrafit 1 të këtij neni, do të jetë i obliguar që çdo qarkullim individual gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve të regjistrojë përmes arkës fiskale si dhe t’i transferojë të dhënat përmes terminalit në server të ATK-së.

Nga menaxhmenti i këtij institucioni pajtohen me gjetjen.

Nëpërmjet letër konfirmimit, nga ATK thuhet se e kanë pranuar draft-raportin Zyrës Kombëtare të Auditimit, për Auditimin e Pasqyrave Financiare të Administratës Tatimore të Kosovës për vitin 2021.

ATK pajtohet me gjetjet e raportit, në përjashtim të vlerësimit te rasti i llogarive të arkëtueshme ku potencohet si rekomandim i pa zbatuar, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për përmbushje në plotëni. Sipas tyre, është proces i vazhdueshëm që asnjëherë  nuk mund të realizohet i tëri  dhe mendohet se duhet të jetë rekomandim në vijim.

Raportin e plotë të ATK-së e gjeni KËTU.