Foto: UKZ/Facebook

Auditimi i MAShTI-it: Universiteti i Gjilanit 'Kadri Zeka' pagoi pije alkoolike me para publike

Auditori i Brendshëm i Ministrisë së Arsimit në vitin 2021, kishte nisur një auditim për universitetet publike rajonale, përfshirë këtu edhe Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”.

KALLXO.com ka siguruar raportin e auditorit të brendshëm të MAShT-it për këtë universitet, që ka të bëjë me vlerësimin e aktiviteteve financiare dhe rekrutuese nga 1 janari 2020 deri më 1 maj të vitit 2021.

Gjetjet e Auditorit të Brendshëm kanë vënë në pah se UKZ gjatë kësaj periudhe ka shpenzuar para publike në dreka me çmime të larta dhe me pije alkoolike, ka shpërndarë mbushje telefonike te personat që nuk parashihen me vendim të Qeverisë, si dhe disa nga vendimet e Këshillit Drejtues të këtij Universiteti nuk janë në harmoni me dispozitat ligjore dhe legjislacionin në fuqi të vendit tonë.

Auditori po ashtu ka gjetur se UKZ ende nuk ka arritur që të ketë kampusin e saj si dhe ka shpenzuar të gjitha paratë e gatshme gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2020.

Drekat me çmime të larta dhe pijet alkoolike

Një tjetër gjetje kryesore e auditorit të brendshëm të MAShTI-it për Universitetin e Gjilanit është se UKZ për periudhën e audituar, UKZ ka pranuar faktura pa zotim të mjeteve.

Auditori i MAShTI ka theksuar se UKZ krijon shpenzim për dreka zyrtare jashtë rregullativës ligjore duke përfshirë drekat zyrtare edhe për komisionin rekrutues apo Këshillin Drejtues brenda Universitetit në shuma të larta, përfshirë edhe pije alkoolike.

“Në kuadër të drekave zyrtare gjatë orarit të punës përveç çmimit të lartë, aty konsumohen edhe pijet alkoolike me paranë publike, gjë që është në kundërshtim me legjislacionin dhe ka kosto të lartë”, thuhet në gjetjen e auditorit të MAShTI-it.

Auditori ka thënë se shpenzimet për mostrat që kanë identifikuar konsiderohen si shpenzime jashtë legjislacionit, ndërsa tek drekat zyrtare ka keqpërdorim të parasë publike.

“Rekomandojmë menaxhmentin e lartë të MAShTIT që personat të cilët nuk kanë respektuar dhe kanë shkelur parimet dhe kushtet e sjelljes profesionale të ndërmerren masat disiplinore sipas nenit 47 të Ligjit 06/L-114”, thuhet më tej në raportin e siguruar nga KALLXO.com.

 Shpenzimet për telefona celular dhe fiks

Sipas raportit të auditorit Universiteti i Gjilanit gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2020 kishte shpenzuar 1,713.33 euro në telefon fiks dhe në periudhën janar mars 2021 – 407,62 euro.

Shpenzime UKZ ka pasur gjatë kësaj periudhe edhe në mbushje të telefonave celular. Në periudhën janar-dhjetor të vitit 2020 janë shpenzuar 11,253.63 euro, kurse janar -prill 2021 janë shpenzuar 3,086 euro.

Për këto shpenzime, Auditori ka gjetur se janë dhënë mbushje edhe personat që janë në kundërshtim me Vendimin e Qeverisë për përdorimin e telefonave fiks dhe mobil.

Si konkluzion, Auditori ka thënë se UKZ kishte vazhduar dhe ende vazhdon të shpenzoj paranë publike duke mos e respektuar këtë vendim.

Auditori ka rekomanduar menaxhmentin e lartë të MAShTI-it që të kërkoj nga personat përgjegjës në UKZ që personave përfitues të mbushjeve elektronike në kundërshtim me vendimin e Qeverisë, “ose t’ua ndërpres marrjen e mbushjeve elektronike për vitin 2021 deri sa të barazohen shpenzimet e tejkaluara dhe pas barazimit të respektohet vendimi i Qeverisë, ose të kthehen mjetet e tejkaluara në buxhet nga personat përfitues për periudhën 1-vjecare dhe nga muaji maj 2021 të respektohet vendimi”.

Vendimet e Këshillit Drejtues

Auditori i brendshëm i Ministrisë së Arsimit, po ashtu ka gjetur se disa nga vendimet e organit kryesor të Universitetit të Gjilanit – Këshilli Drejtues nuk janë në harmoni me dispozitat ligjore dhe legjislacionin në fuqi.

Sipas auditorit vendimet e tilla rrezikojnë në humbjen financiare dhe shfrytëzim të buxhetit jashtë normativës ligjore.

Në këto vendime janë të përfshira formime të disa komisioneve për hartime të disa rregulloreve të ndryshme.

Po ashtu KD kishte miratuar edhe kërkesat e sindikatës së punëtorëve të UKZ-së që t`i ndahet shuma prej 1000 euro për zhvillimin e aktiviteteve të tyre.

Si dhe ka miratuar shumën prej 10,000 euro për veprimtari kërkimore-shkencore për vitin 2020.

Auditori ka konstatuar se pagesa e çdo lloj komisioni gjatë orarit të rregullt të punës, është e ndaluar në nenin 80 të Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.

Si rekomandim është dhënë që menaxhmenti i lartë i MAShTI-it të kërkoj nga KD-ja llogaridhënie dhe të bëhet shfuqizim i vendimeve të tilla dhe njëkohësisht të ndalohen lëshimi i vendimeve në kundërshtim me Ligjin.

Procedurat rekrutuese

Auditori i Brendshëm i MAShTI ka audituar edhe Zyrën e Personelit të UKZ-së, ku ka bërë rishikimin dhe vlerësimin e të gjitha procedurave të konkurrimit për vende të lira të punës në UKZ në të gjitha fazat e këtij procesi, nga faza e konkurrimit deri në momentin e përzgjedhjes së kandidatit nga komisioni për vlerësimin e kandidatëve të cilët kanë konkurruar për vende të lira të punës në UKZ si për stafin akademik ashtu edhe për stafin administrativ.

“Sipas dokumenteve që ka poseduar, auditori ka vërejtur se në një konkurs për pozitën ‘tre asistentë të angazhuar për lëndët penale’ të shpallur në konkurs, komisioni vlerësues në kuadër të Fakultetit Juridik, ka paraqitur raportin vlerësues për kandidatët e suksesshëm, 4 ditë pas mbylljes së konkursit”, thuhet në raport.

E që sipas auditorit, Senati në UKZ nuk kishte pritur përfundimin e afatit për ankesa, mirëpo ka marrë vendimin përfundimtar para se të përfundoj afati i parashtrimit të ankesave eventuale.

Për këtë kishte pakënaqësi nga kandidatët dhe kanë bërë padi në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Për këtë auditori ka thënë se kontestet gjyqësore ndikojnë në imazhin e Universitetit, duke rrezikuar implementimin apo arritjen e objektivave të UKZ-së.

Auditori ka rekomanduar që menaxhmenti i lartë i UKZ-së duhet të shtojë kontrollet ndaj menaxhmentit të procedurave rekrutuese në mënyrë që ketë mbrojtje të barabartë ligjore pa diskriminim.

Auditori ka pasur edhe një gjetje sa i përket obligimeve ndaj borxhlive që nuk janë kryer në kohën e duhur dhe gjetje të tjera sa i përket kampusit.

Në lidhje me gjetjet e auditorit të MAShTI-it, KALLXO.com ka dërguar pyetje për Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, nëse janë pajtuar me këto gjetje.

Ata kanë bërë të ditur se janë pajtuar me disa nga gjetjet e auditorit të MAShTI-it.

“Me disa nga gjetjet jemi pajtuar, ndërsa me disa të tjera kemi kundërshtuar duke i bashkangjitur edhe argumentet tona përkatëse”, thuhet në përgjigjen e tyre.

UKZ po ashtu ka bërë të ditur se kanë ndërrmarë veprime që t’i adresojnë disa nga gjetjet.

“Ne kemi marrur veprime të menjëhershme duke i marrë disa vendime dhe veprime tjera të cilat kanë reflektuar në përmirësimin e gjendjes. P.sh. vendimi i rektorit për mos pagesën e komisioneve deri në rishikimin e rregulloreve të brendshme, për çka Këshilli Drejtues ka krijuar Komisionin dhe është duke i harmonizuar të gjitha rregulloret që bien ndesh me ligjin, vendimi i rektorit që të ndërpritet praktika e pranimit të mallit pa zotim te mjeteve, vendimi i rektorit që gjate drekave zyrtare të mos ofrohen shërbime me pije alkoolike”, thuhet në përgjigjen e tyre.