
Foshnje - Foto: KALLXO.com
Aty ku mrekullitë dinë t’i bëjnë më të vegjlit e QKUK-së
Çdo zhurmë monitori në kujdesin intensiv të Klinikës së Neonatologjisë bart peshën e shpresës, por edhe të frikës.
Qindra fëmijë të lindur para kohe trajtohen çdo vit në këtë njësi të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Shpesh me peshë më pak se një kilogram, ata luftojnë për secilën frymë, ndërsa aparaturat përreth tyre, bashkë me stafin e profesionistëve, punojnë pa pushim.
“Është punë shumë e ndjeshme, por e bëj me kënaqësinë më të madhe dhe pa përtesë”, thotë infermierja Antigona Ejupi, e cila në mjekimin intensiv neonatal punon për më shumë se 25 vjet.
Në ditën kur Radio Evropa e Lirë bisedoi me të, në pjesën e parë të dhjetorit, ajo kishte nën kujdesin e saj 6-7 fëmijë të lindur para kohe.
Në mesin e tyre ishte edhe vajza e Kosovare Pacollit nga komuna e Lipjanit.
E vogla kishte ardhur në jetë në javën e 27-të të shtatzënisë, ndërsa normalisht do të duhej në javën e 39-të apo 40.
“Kemi qenë të dyja në rrezik. Kam hyrë me urgjencë në operacion. Falë mjekëve, sot jemi më mirë”, thotë Kosovarja për Radion Evropa e Lirë.
Vetë e shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë, për më shumë se një javë, ajo mundohej që ta vizitonte të bijën në klinikën tjetër, disa metra larg, së paku një herë në ditë.
Qante vazhdimisht dhe kërkonte të dinte se si është gjendja e së voglës së saj.
“Mjekët po më thonë se edhe pak kohë dhe do të ma sjellin vajzën atje ku jam unë në Gjinekologji. Jam shumë e kënaqur me kujdesin e mjekëve dhe të infermierëve këtu”, thotë nëna e pesë fëmijëve.
Shpresë asaj dhe shumë nënave si ajo u jepte rasti i Hyrmete Llullecit nga Ferizaj, foshnja e së cilës kishte qëndruar një muaj në kujdesin intensiv të Neonatologjisë.
“Nuk e kam besuar se do të më shpëtojë vajza, sepse lindi me një peshë të vogël, por, falë Zotit dhe kujdesit të mjekëve, sot është mirë. Një muaj ka qëndruar në mjekimin intensiv pa mua, e tash jemi bashkë këtu në repartin e Neonatologjisë”, thotë Hyrmetja, nënë e dy fëmijëve.
Përse foshnjat lindin para kohe?
Organizata Botërore e Shëndetësisë i quan foshnja të parakohshme ato që lindin përpara se nënat ta kenë përfunduar javën e 37-të të shtatzënisë.
Lindja e parakohshme vjen për një varg arsyesh – shumë prej tyre ndodhin spontanisht, por disa janë edhe pasojë e arsyeve të ndryshme mjekësore, si infeksionet, diabeti, tensioni i lartë i gjakut etj.
Megjithatë, sipas OBSH-së, në këto raste ndodh që nuk identifikohet as edhe një shkak.
Në një raport të publikuar në vitin 2023, OBSH-ja ka vlerësuar se rreth 13.4 milionë foshnja kanë lindur para kohe në vitin 2020.
Shkalla e lindjes së parakohshme nëpër vende të ndryshme ka lëvizur mes 4 dhe 16 për qind.
Nga janari i vitit 2024 deri në fillim të dhjetorit, në kujdesin intensiv të Klinikës së Neonatologjisë në QKUK janë trajtuar 1.095 foshnja – në mesin e tyre 785 të lindura para kohe.
Prej këtyre të fundit, 48 kanë lindur në spitalet rajonale të Kosovës dhe në ato private, por që më pas kanë pasur nevojë të trajtohen në Klinikën e Neonatologjisë, thotë për Radion Evropa e Lirë ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj klinike, Luan Morina.
“Mbi 50% e punës që bëhet në kliniken tonë, ka të bëjë me lindje të parakohshme. Fatkeqësisht, duhet të them se kemi një rritje të numrit të rasteve ‘premature’, sidomos të këtyre me peshë të vogël”, thotë Morina, por nuk ofron ndonjë shifër specifike se sa apo në cilën periudhë është vërejtur rritja e numrit të rasteve.
Ai vetëm thotë se foshnjat me peshën më të vogël të trajtuara në mjekimin intensiv neonatal, janë ato nga 500 gramë deri në 999 gramë.
Gjatë vitit 2024, sipas tij, 61 foshnja kanë lindur mes javës së 22-të dhe 28-të të shtatzënisë dhe prej tyre 57 nuk kanë arritur të mbijetojnë.