Rebecca Cheptegei. Foto: Federata e Atletikës e Ugandës

Atletja olimpike vdiq disa ditë pasi e dogji ish-i dashuri

Atletja olimpike, Rebecca Cheptegei, ka vdekur disa ditë pasi ish-i dashuri i saj e kishte lyer me benzinë dhe ia kishte vënë flakën, raporton BBC.

Vrapuesja 33-vjeçare e maratonës, e cila garoi si përfaqësuese e Ugandës në Olimpiadëne fundit të Parisit, kishte pësuar djegie të shkallës së lartë në sulmin e së dielës (01.09.2024).

Autoritetet në Keninë verilindore, ku Cheptegei kishte jetuar dhe ushtrohej, kanë thënë se ajo ishte sulmuar pas kthimit me të dy bijat nga kisha në shtëpi.

Babai i saj, Joseph Cheptegei, ka thënë se ka humbur të bijën “tepër mbështetëse” për të dhe familjen.

Atleti ugandas, James Kirwa, ka folur për bujarinë e saj dhe sesi i kishte ndihmuar shokët dhe shoqet garuese të ekipit. Madje edhe financiarisht.

Në një raport të hartuar prej administratorit lokal dyshohet se atletja dhe ish-partneri i saj kishin pasi përplasje për një hise toke. Policia ka bërë të ditur se ka nisur hetimin e rastit.

Cheptegei, nga një rajon matanë kufirit në Ugandë, thuhet se kishte blerë një parcelë në rrethinën e Trans Nzoias dhe se kishte ndërtuar një shtëpi që do të ishte agër qendrave më elitare të trajnimit atletik në Keni.

Ka pasur shumë shqetësime për ngritjen e rasteve të dhunës kundër atleteve gra në Keni. Cheptegei është atletja e tretë që vritet prej tetorit 2021.

Duke folur për gazetarë jashtë spitalit ku po trajtohej ajo, baba Cheptegei i kishte kërkuar qeverisë së Kenisë që të siguronte vënien e drejtësisë në vend pas vdekjes së të bijës sportiste.

“Kemi humbur fituesen tonë të bukës”, ka shtuar ai, duke theksuar se ende nuke di sesi do t’ia dalë mbanë me ofrimin e ushqimit dhe kujdesit arsimor për dy të bijat jetime të atletes së ndjerë, njëra 12 e tjetra 13 vjeçe.

Mjeku Oven Menach, drejtor i spitalit lokal, ka thënë për mediat vendase se atletja vdiq për shkak se i dështuan të gjitha organet.

Federata e Atletikës e Ugandës ka reaguar në platformën X, duke shkruar: “Jemi të pikëlluar thellë pas lajmit për vdekjen e atletes tonë, Rebecca Cheptegei, këtë mëngjes. Ajo ishte viktimë tragjike e dhunës në familjes. Si federatë, dënojmë këto akte dhe bëjmë thirrje për drejtësi. Lutemi që shpirti i saj të prehet në Paqe”.

Ish-i dashuri i Cheptegei gjithashtu është pranuar në spital në Eldoret – por me plagë më të lehta të djegies. Ai ende ndodhet nën kujdesin intensiv, por gjendja e tij “po përmirësohet dhe është stabile”, ka thënë mjeku Menach.

Më herët, shefi i policisë lokale, Jeremiah ole Kosiom, është cituar të ketë thënë nga mediat vendase se “çifti është dëgjuar duke u përlarë para shtëpisë. Gjatë fjalosjes, i dashuri është parë duke i hedhur një material të lëngshëm gruas para se t’ia fuste flakën”.

Shefi i Komitetit Olimpik të Ugandës, Donald Rukare, e ka quajtur akt qyqar djegien për vdekje “të atletes së madhe”.

Cheptegei përfundoi e 44-ta në maratonën e fundit në Olimpiadën e Parisit.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com