ATK verifikon kontratat e punëtorëve në bizneset e Prizrenit

 

Në vazhdën e aksioneve për verifikimin e punëtorëve të cilat Administrata Tatimore është duke i zhvilluar në mbarë Kosovën, radha i erdhi një biznesi në Prizren.

Ky aksion i inspektorëve të ATK-së, u ndërmor pas raportimeve të qytetarëve në platformën KALLXO.com.

Qytetarët kishin raportuar se një biznes i cili merret me saldimin e rrethojave kishte disa punëtorë të pa deklaruar dhe të pa pajisur me kontrata pune.

Për verifikimin e këtyre informacioneve me urdhër të drejtorit të ATK-së, në Prizren u caktua një ekipë e inspektorëve tatimor.

Gjatë vizitës në punishte u hasën punëtorë, atyre me kërkesë të inspektorëve iu morën të dhënat personale të cilat do të verifikohen më pas në Administratën Tatimore të Kosovës.

Në rast se punëtorët figurojnë se nuk janë të deklaruar në ATK atëherë biznesi do të ndëshkohet dhe detyrohet që t`i pajis punëtorët me kontrata të rregullta të punës.

Aksione të tilla tatimore, ATK është duke zhvilluar në të gjithë Kosovën që nga koha kur Qeveria miratoi pakon emergjente fiskale me të cilën pritet t`u dalë në ndihmë punëtorëve në sektorin privat.

Verifikimi i kontratave të punës nga Administrata Tatimore është duke u bërë edhe jashtë orarit të rregullt të punës.

Mbrëmë me urdhër të zv. Drejtorit të Përgjithshëm të operacioneve Nijazi Asllanit, ATK zhvilloi aksion në një “Piceri” të Prishtinës për të cilën ishte raportuar se kishte punëtorë të pa deklaruar.

Në bazë të informacioneve të raportuara në KALLXO.com, deri më tani janë konstatuar 13 punëtorë pa kontrata pune në tre biznese të ndryshme.

Nëntë punëtorë pa kontrata u konstatuan në biznesin e sigurimeve fizike ndërsa nga dy punëtorë pa kontrata u konstatuan në një auto parking në Prishtinë dhe në biznesin e taksive.

Kontrollet për verifikimin e kontratave të punës së punëtoreve kanë filluar nga koha kur Qeveria e Kosovës e miratoi pakon emergjente fiskale me të cilën pritet t’u dalë në ndihmë edhe mijëra punëtorëve në sektorin privat.

Nga fillimi i vitit 2020 e deri në muajin prill, Administrata Tatimore e Kosovës ka shqiptuar mbi 90 mijë euro gjoba nga raportimet e qytetarëve në KALLXO.com.

Mospajisja e punëtoreve me kontrata pune dhe mosdeklarimi i tyre janë shkelje e ligjit dhe janë të dënueshme sipas dispozitave të ligjit mbi Administratën Tatimore të Kosovës.

KALLXO.com inkurajon të gjithë ata të cilët nuk kanë kontrata pune të raportojnë në platformën tonë dhe në ATK.