ATK tregon se si mund ta paguani vetëm 50% të vlerës së gjobës

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton të gjithë tatimpaguesit ndaj të cilëve ZGjoNA shqipton gjoba për shkelje të legjislacionit tatimor, tani mund të përfitojnë zbritje.

Sipas ATK-së, nëse tatimpaguesi paguan gjobën brenda afatit prej 15 ditëve atëherë lirohet nga pagesa e 50% të shumës.

“Në rast se tatimpaguesi paguan gjobën e shqiptuar brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga data e hyrjes në fuqi të Vendimit nga ZGjoNA, tatimpaguesi lirohet nga pagesa e pesëdhjetë përqind (50%) të shumës së gjobës së shqiptuar dhe në këtë rast procedura e ankimimit suprimohet dhe rasti konsiderohet i mbyllur”, njofton ATK.

Në njoftim thuhet se tatimpaguesi që nuk paguan gjobën prej 50% brenda 14 ditësh, detyrohet të paguajë 100% të shumës së përcaktuar me vendim nga ZGjoNA.

“Të drejtën për të përfituar nga pagesa e gjobës vetëm prej pesëdhjetë përqind (50%) e kanë të gjithë tatimpaguesit, duke filluar nga data 01.02.2022”, thuhet më tutje.

ATK ka aprovuar këtë Rregullore të brendshme nr.01/2022 mbi Përcaktimin e procedurave për funksionimin e Njësive organizative për Gjoba dhe Ndëshkime (ZGjoNA), e cila fillon të zbatohet nga data 01.02.2022.