ATK tregon pse ia bllokoi llogaritë bankare Postës së Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës ka reaguar ndaj komunikatës së Postës së Kosovës në të cilën ësht njoftuar se ATK pa asnjë paralajmërim, dje ka bllokuar llogarit bankare të kësaj ndërmarrje publike.

“ATK duke pas parasysh se çdo veprim të saj e ka në përputhje me dispozitat e Legjislacionit Tatimor, bën me dije se sikurse në çdo rast tjetër edhe në rastin konkret Posta e Kosovës, me datë 10 mars përmes shkresës zyrtare është paralajmëruar për masat e sforcuara (bllokimi i llogarive bankare) që do të ndërmerren në rast të mos pagesës së borxhit brenda 10 ditëve”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Tutje ATK ka thënë se pas kësaj date meqenëse vendi hyri në periudhën e pandemisë COVID 19, zyrtarët tatimorë sikurse edhe ndaj të gjithë tatimpaguesve tjerë edhe ndaj PK ka lejuar tolerancë në zbatim të masave të sforcuara, deri në kohën e lirimit të masave nga Qeveria e Kosovës për lëvizje dhe zhvillim të aktiviteteve ekonomike.

“Gjatë kësaj jave zyrtarët e ATK-së në takime zyrtare e kanë ri-njoftuar PK për pagesë të borxhit dhe për masat që do të ndërmerren në rast të mos pagesës së obligimit. Andaj, si institucion kërkojmë nga PK që të jetë korrekte dhe transparente në atë që deklaron rreth rastit në fjalë, si dhe të kërkojë falje publike për informata e pa vërteta të dhëna për mediat”, thuhet në reagimin e ATK-së.

ATK ka bërë të ditur se në vitin e kaluar ka reformuar komplet mbledhjen e detyrueshme, të cilës tani më u janë shtuar mekanizma tejet efikas në inkasimin borxheve tatimore.

“Ky ri-organizim është bërë në një qendër të vetme në Prishtinë, në kuadër të së cilës do të funksionojnë katër divizione, ku secili divizion do të jetë përgjegjës vetëm për një fazë të caktuar të trajtimit të borxheve. Qëllimi i këtij reformimi është inicuar duke pas parasysh nivelin e lartë të borxheve të krijuara nga tatimpaguesit, ku përmes projektit të Konsolidimit të Mbledhjes së Borxheve, ATK do të siguroj procedura dhe qasje të re, në përmirësimin e procesit të trajtimit të borxhit në fazë të hershme, si dhe për të zvogëluar stokun e madh të borxheve”, thuhet në reagimin e ATK-së.

ATK ka inkurajuar të gjithë tatimpaguesit e vendit që t’i respektojnë afatet ligjore për pagesën e borxheve tatimore, në mënyrë që mos të bëhen objekt i ndërmarrjes së masave të sforcuara nga Mbledhja e Detyrueshme.

Administrata Tatimore e Kosovës i ka bllokuar xhirollogaritë e Postës së Kosovës dje për shkak të borxheve.

Lajmi për bllokim të xhirollogarive e ka konfirmuar kryeshefi i Postës së Kosovës, Salih Morina dhe nga kryetari i Bordit, Mentor Arifaj.

Salih Morina, kryeshefi i Postës, ka thënë se bllokimi i xhirollogarive është bërë pa paralajmërim nga ATK-ja. Ai thotë se bllokimi është bërë për shkak të një borxhi të akomuluar gjatë viteve 2018 dhe 2019.

Morina thotë se ende nuk kanë pranuar informata të sakta nga ATK-ja për borxhin e saktë, por ai thotë se borxhi është rreth 1.3 milionë euro.

Sipas tij, bllokimi i xhirollogarive bën që të pamundësohet funksionimin i ndërmarrjes dhe kryerja e transaksioneve të nevojshme ditore.

Kryetari i Bordit të Postës, Mentor Arifaj thotë se pas takimeve që kanë pasur gjatë javës me zyrtarët e ATK-së janë pajtuar që të bëhet prerja e borxhit dhe të ofrohet një mundësi e riprogramimit të borxhit, por sipas tij ATK-ja menjëherë i ka bllokuar llogaritë.

“Ne nuk kemi marrë asnjë shkresë zyrtare nga ATK-ja për ndonjë paralajmërim për bllokim të mundshëm të llogarive”, ka thënë Arifaj.

ATK-ja bllokon xhirollogaritë e Postës së Kosovës