Foto: ATK - Facebook
ATK: Të gjitha bizneset janë të detyruara të regjistrojnë punëtorët e tyre
Administrata Tatimore e Kosovës njofton se të gjithë ata persona që merren me aktivitete afariste janë të detyruar të regjistrojnë punëtorët e tyre dhe të mbajnë në burim Tatimin në Paga dhe Kontributet Pensionale.
ATK njofton se ka hartuar Planin e Veprimit për “Përmirësimin e përmbushjes për Punësim jo-formal”.
“Përmes këtij plani do të kryejë aktivitete intensive me qëllim të identifikimit të personave, të cilët nuk përmbushin detyrimet e tyre për regjistrimin e punëtorëve dhe mbajtjen në burim të Tatimit në Paga dhe Kontributeve Pensionale”, njofton ATK me anë të një postimi në Facebook.
Sipas ATK-së, fokusi do të jetë te ata persona të cilët nuk e respektojnë legjislacionin tatimor dhe si pasojë e kësaj do të ketë ndëshkime administrative.
“Me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore”, thuhet ndër të tjera.
Këtë thirrje ATK e bënë në bazë të projektit për punësim jo-formal.