ATK suspendon nga puna dy zyrtarët e arrestuar për korrupsion

Administrata Tatimore e Kosovës ka suspenduar nga puna inspektorët Gazmend Jashari dhe Adnan Jupolli të cilat janë arrestuar mbrëmë nga Policia e Kosovës pasi po dyshohen se kanë kërkuar dhe marrë 50 euro nga pronari i një biznesi.

“Administrata Tatimore e Kosovës njofton opinionin publik se bazuar në informatat e pranuara nga organet kompetente dhe duke u mbështetur në nenin 69 të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Kosovës, ka marrë vendim mbi pezullimin parandalues nga marrëdhënia e punës në ATK për dy inspektor G.J dhe A.J të cilët janë arrestuar nën dyshimet se kanë keqpërdor pozitën dhe autoritetit zyrtar:, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Inspektorët Gazmend Jashari dhe Adnan Jupolli u arrestuan nga policia e Kosovës  mbrëmë pasi që dyshohet se kishin kërkuar dhe marrë ryshfet në vlerë prej 50 (pesëdhjetë) euro, me qëllim që të njëjtin të mos e ndëshkonin.

Prokuroria e Prishtinës sot ndaj tyre ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit dhe te njëjtit pritet që të dalin gjatë ditës  dhe të përballën me kërkesën e Prokurorisë.

Mbrëmë Policia e Kosovës njoftoj se i kishte arrestuar të dy inspektoret nën dyshimet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Me datë 13.02.2020 Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK) – Prishtinë ka pranuar informatë në bazë të cilës dyshohej se dy inspektor tatimor të ATK-së gjatë inspektimit të rregullt që kanë kryer në një biznes, me lokacion në Fushë Kosovë, kanë hasur në disa parregullsi dhe me qëllim që të mos e ndëshkojnë pronarin, nga i njëjti kishin kërkuar dhe marrë ryshfet në vlerë prej 50 (pesëdhjetë) euro”, thuhet në njoftim e Policisë.

Arrestohen 2 inspektorë të ATK-së, dyshohet se morën ryshfet nga pronari i një biznesi në Fushë-Kosovë