ATK për herë të parë miraton një plan kundër korrupsionit, do të hetojë edhe punëtorët e saj

Administrata Tatmiore e Kosovës (ATK), ka njoftuar se për herë të parë ka miratuar një plan kundër korrupsionit.

Përmes një komunikate për media, ATK-ja ka bërë të ditur se ky plan është përmbledhje e objektivave që realizon ATK në luftimin e korrupsionit dhe sipas tyre, përmban aktivitetet që synohen të realizohen gjatë vitit 2023. Plani Kundër Korrupsionit përmban 14 pika.

Si një ndër më të rëndësishmet në këtë plan, është edhe hetimi i punonjësve të ATK-së që keqpërdorin pozitën zyrtare, e për të cilët parashihet inicimi i rasteve për trajtim në organet kompetente.

“Parimi i proporcionalitetit përfshinë aktivitetet tona të cilat janë të bazuara në rrezikun e paraqitur, e që nënkupton ushtrimin e autoritetit vetëm atëherë kur është e domosdoshme dhe vetëm deri në nivelin që nevojitet për të arritur objektivat legjitime, dhe kjo me mjete dhe metoda të përshtatshme”- thuhet në njoftim.

Sipas ATK-së, plani mbështetet në legjislacionin aktual dhe përfshin objektivat e përgjithshme dhe objektivat specifike nga tri dokumentet strategjike të punës.

“Përmes këtij plani synohet rritja e bashkëpunimit me institucione kompetente për luftimin e korrupsionit, rritja e llogaridhënies, rritja e transparencës, zvogëlimi i diskrecionit të zyrtarëve të ATK”- thuhet në njoftim.

Po ashtu, ky plan parasheh edhe masa edukuese për parandalimin e sjelljeve të këqija, konfliktit të interesit, si dhe rritjen e bashkëpunimit me qytetarët dhe OJQ-të që parandalojnë korrupsionin.