
ATK për 25 vjet: Mbi 11 miliardë euro të hyra përmes tatimeve e kontributeve pensionale
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbledhur mbi 11 miliardë euro të hyra në Kosovë, përmes tatimeve e kontributeve pensionale për 25 vjet.
Kështu ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj në shënimin e 25-vjetorit të themelimit të këtij institucioni, më 17.01.2025.
ATK thotë se e shënuan përvjetorin e themelimit me një ceremoni solemne, në të cilën morën pjesë udhëheqës të lartë të shtetit, ambasadorë të vendeve të fuqishme që veprojnë në Kosovë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe shumë të ftuar të tjerë.
Sipas Murtezajt, misioni i ATK-së është ngritja e nivelit më të lartë të përmbushjes vullnetare në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi, si dhe ofrimi i shërbimeve profesionale, transparente dhe efektive për tatimpagues.
“Ne drejtuesit dhe të gjithë punonjësit e Administratës Tatimore të Kosovës, këtë mision e konsiderojmë si mision të shenjtë dhe punojmë shumë që askush dhe asnjëherë të mos guxojë të shkelë mbi këtë mundësi që na është ofruar për t’i shërbyer vendit tonë.” – thuhet në njoftimin e ATK-së, më 17.01.2025.
Murtezaj ka bërë të ditur se ATK-ja për këto 25 vjet ka mbledhur mbi 8 miliardë euro tatime dhe mbi 3 miliardë euro kontribute pensionale.
“I pari i ATK-së (Ilir Murtezaj) tha se krahas rritjes së të hyrave ne vazhduam me reformim institucional – reforma këto të cilat transformuan institucionin e ATK-së nga një Administratë Tatimore modeste në një Administratë Tatimore moderne.” – ka njoftuar ATK.

Sipas ATK-së, ambasadorët e vendeve të fuqishme në Kosovë, në fjalimet e tyre në ceremoni, e vlerësuan lart angazhimin dhe përkushtimin e ATK-së për të ndërtuar një sistem tatimor të drejtë dhe të qëndrueshëm – duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të dhënë përmes projekteve dhe ekspertizës ndërkombëtare.
“Ky përvjetor nuk është thjesht një shënim i kalimit të kohës, por një dëshmi e përkushtimit, profesionalizmit dhe suksesit të arritur nga ky institucion në ndërtimin e themeleve të qëndrueshme për të ardhmen e Kosovës.” – ka thënë përfaqësuesja nga Ambasada e SHBA-së, Eileen Devitt.
ATK vlerëson se sistemi tatimor është themeli mbi të cilin ngrihet një shtet i fortë dhe i qëndrueshëm.
“Një Administratë Tatimore e besueshme dhe efikase jo vetëm që siguron burime për zhvillimin ekonomik dhe shërbimet publike, por gjithashtu rrit besimin e qytetarëve në institucione dhe në drejtësinë e sistemit.” – ka theksuar ATK.
Tutje, ATK ka përmendur se SHBA ka ofruar mbështetje në zhvillimin e ATK-së dhe se kjo mbështetje ka përfshirë trajnime, ndihmë teknike dhe partneritet për të avancuar proceset e digjitalizimit, transparencës dhe llogaridhënies.
Kurse, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, sipas ATK-së, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e 25-vjetorit të ATK-së ka vlerësuar bashkëpunimin afatgjatë mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në ndërtimin e kapaciteteve institucionale të ATK-së.
“Ambasadori nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të shkëmbimit të përvojave ndërkombëtare për të siguruar një sistem tatimor modern, transparent dhe të drejtë – duke shprehur gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur më tej reformat dhe zhvillimin e mëtejshëm të ATK-së.” – thotë ATK.
Ndërsa, për ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ATK thotë se ai theksoi mbështetjen e vazhdueshme që shteti gjerman ka ofruar përmes organizatës ‘GIZ’.
“Ai vlerësoi rezultatet e dukshme të këtij bashkëpunimi, duke përfshirë forcimin e kapaciteteve institucionale të ATK-së, përmirësimin e procedurave tatimore dhe zhvillimin e sistemeve të digjitalizuara. Ambasadori nënvizoi se përkushtimi i Gjermanisë për të mbështetur Kosovën në ndërtimin e një Administrate moderne dhe të përgjegjshme do të vazhdojë.” – ka shtuar ATK.
E përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Sebastian Sosa ka vlerësuar, siç thotë ATK, përparimin e jashtëzakonshëm të ATK-së në ndërtimin e një Administrate Tatimore efikase dhe transparente.
“Ai theksoi se ATK ka luajtur një rol të rëndësishëm në sigurimin e të hyrave të qëndrueshme për buxhetin e Kosovës – duke ndihmuar kështu në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Përfaqësuesi i FMN-së u shpreh se institucioni që ai përfaqëson mbetet një partner i përkushtuar në mbështetjen e reformave dhe përmirësimin e mëtejshëm të proceseve tatimore në Kosovë.” – ka thënë Sosa, sipas ATK-së.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka thënë se në këto dy dekada e gjysmë ATK jo vetëm që ka përmbushur misionin e saj për të mbledhur të hyrat publike, por ka ndikuar thellësisht edhe në ndërtimin e një kulture të re të vetëdijes tatimore.
“Nëpërmjet punës së saj të palodhshme, ATK ka ndërgjegjësuar qytetarët dhe bizneset se pagimi i tatimeve nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një akt përgjegjësie shoqërore, që kontribuon direkt në ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe më të drejtë.” – ka thënë Rafuna, sipas ATK-së.