ATK obligohet ta kthejë pas gati tetë vitesh zyrtarin që ia kishte ndërprerë marrëdhënien e punës

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka marrë vendim me të cilin Muhamet Avdylin e kthen në vendin e punës si udhëheqës i ekipit në divizionin për veprime themelore të mbledhjes, departamenti për menaxhimin e mbledhjes së borxheve në Administratën Tatimore të Kosovës.

Të njëjtit sipas vendimit të Komisionit disiplinor të Administratës Tatimore të Kosovës të datës 03.09.2015 i ishte shqiptuar masa disiplinore për ndërprerje të marrëdhënies së punës në shërbimin civil.

Përmes këtij vendimi të KPMSHCK obligohet që drejtori i përgjithshëm i ATK-së të bëjë kompensimin e pagës deri në 50% prej datës 22.09.2011 deri me 04.09.2015 ndaj Avdylit.

Pasi që i njëjti fillimisht nga drejtori i përgjithshëm i ATK-së më datë 22.9.2011 ishte pezulluar nga puna me pagesë prej 50% të pagës pasi që ndaj tij Prokuroria në Ferizaj kishte bërë  propozim për ngritje të akuzës.

Sipas aktakuzës Avdyli akuzohej se i njëjti kishte kryer veprën penale shpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Dhe i njëjti ishte dënuar me kusht me burgim në kohëzgjatje prej 3 muajsh nga gjykata e shkallës së parë, por nga gjykata e Apelit ishte refuzuar aktakuza mbi bazën e parashkrimit absolut të veprës që i vihej në barrë.

Ani pse Administrata Tatimore e Kosovës më datën 11.08.2015 kishte pranuar aktgjykimin e Apelit për hedhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit, më datën 20.08.2015 kishte iniciuar procedurën disiplinore.

“Kolegji për shqyrtimin e Ankesave, gjatë shqyrtimit të provave të lëndës ka konstatuar se Administrata Tatimore e Kosovës, më datë 11.08.2015 ka pranuar aktgjykimin e PAKR nr. 176/2015 të gjykatës së Apeli të Kosovës, lidhur me refuzimin e akuzës ndaj ankuesit, ndërsa inicimi i procedurës disiplinore nga udhëheqësi i Personelit është bërë me datë 20.08.2015, duke u bazuar në aktgjykimin PAKR nr. 176/2015 të gjykatës së Apelit”- ka konstatuar Kolegji për shqyrtimin e ankesave.

E më pastaj kishte ardhur edhe vendimi i komisionit disiplinor i datës 03.09.2015, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Avdyli për vendimin e Komisionit disiplinor kishte ushtruar të drejtën e tij në ankesë në komisionin për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në ATK, ku ankesa e tij ishte refuzuar nga kjo e fundit.

Kundër këtij vendimit Avdyli kishte ushtruar ankesë në Këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbim civil, ku ishte aprovuar ankesa e tij dhe Komisioni për zgjedhjen e kontesteve ishte obliguar ta rishqyrtoj rastin.

Komisioni për zgjedhjen e kontesteve kishte refuzuar ankesën, njëjtë kishte vepruar tutje edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil.

I pakënaqur me vendimin e kësaj të fundit, Avdyli kishte parashtruar padi në Gjykatën themelore, departamenti për çështje administrative.

Kolegji kishte vlerësuar se Komisioni Disiplinor gabimisht kishte aplikuar dispozitat materiale kur ka vendosur lidhur me masën disiplinore ndaj ankuesit.

“Kolegji vlerëson se Komisioni disiplinor gabimisht ka aplikuar dispozitat materiale”- ka vlerësuar kolegji.

Në fund të vendimit thuhet që në mënyrë unanime është vendosur që të aprovohet ankesa  e ankuesit si e bazuar, të anulohet vendimi i komisionit disiplinor dhe vendimi i komisionit për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave të Administratës Tatimore të Kosovës dhe e obligon Drejtorin e përgjithshëm të ATK-së që ta kthej ankuesin në pozitën e tij të punës dhe të njëjtit të ia kompensoj të ardhurat e humbura.