Administrata Tatimore e Kosovës - Foto: KALLXO.com

ATK njofton se të hyrat tatimore arrijnë shifrën 623.6 milionë euro

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se trendi rritës i të hyrave vazhdon ta dominoi inkasimin edhe për periudhën janar-tetor 2022.

Sipas ATK-së përtej planit janë për 12.9 milionë euro apo 2.1%.

Ndërkaq, vlera totale e inkasimit sipas ATK-së, shkon në 623.6 milionë euro tatime.

ATK njofton se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka rritje për 111.1 milion euro apo 21.7%.

“Performanca e të hyrave vazhdon të jetë jashtëzakonisht e lartë, pavarësisht rishikimit të bërë të planit deri në fund vitit. Po ashtu, vlen të theksohet se kjo rritje ka ndodh pa pasur ndryshim të normave tatimore” – thuhet në njoftim.

Në komunikatë përmendet se vlerësim për rritje dyshifrore të të hyrave së fundi ATK ka marrë edhe nga raportet ndërkombëtare, si ai nga Komisioni Evropian dhe PEFA.

“Në këto raporte theksohet se progres i mirë është bërë gjatë periudhës raportuese në lidhje me mbledhjen e tatimeve, ku të ardhurat e përgjithshme për vitin fiskal 2021 ishin 19% më të larta se në vitin 2020 (të hyrat e përgjithshme, ATK & Doganë)” – përfundon njoftimi.

Infografika: Administrata Tatimore e Kosovës