ATK mblodhi 74 milionë euro më pak të hyra

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti bashkë me ministren e Financave Hykmete Bajrami, kanë vizituar Administratën Tatimore të Kosovës.

Në këtë takim u diskutua për punën e ATK-së gjatë vitit 2020 dhe rolin e saj në rimëkëmbjen ekonomike.

Në këtë takim ushtruesi i detyrës së ATK-së Ekrem Hysenaj shpalosi punën e ATK-së dhe vështirësitë e saj gjatë pandemisë. Ai tha se situata e pandemisë ka ndikuar që këtë vit ATK të inkasojë më pak të hyra se sa në vitin e kaluar.

“ATK këtë vit ka inkasuar rreth 426 milionë euro apo diku rreth  74 milionë euro më pak se vitin e kaluar si pasojë e pandemisë, rënie ka pasur edhe në pjesën e qarkullimit pasi kemi 1.2 milard euro qarkullim më pak se sa vitin e kaluar, ndikim kemi pasur edhe në rritjen e stokut pasi bizneset kanë qenë në vështirësi financiare”, tha Hysenaj.

Ai shtoi se ATK vazhdon të jetë e fokusuar në fisklaizimin e bizneseve dhe inkasimin e borxheve dhe se gjatë këtij viti kanë arritur të mbledhin 70 milionë euro borxhe.

Gjatë konferencës kryeministri Hoti tha se ATK ka bërë një punë të madhe dhe të rëndësishme si një nga institucionet kyçe në zbatim e pakove ekonomike.

“Unë shfrytëzoj rastin që t`iu përgëzoj për një punë të jashtëzakonshme që keni ba gjatë gjithë këtij viti. Është kriju një perceptim i mirë për ATK që e do shtetin, që kontribuon dhe i trajton barabartë bizneset”, tha Hoti.

Ai shtoi se ATK do ta ketë mbështetjen e plotë të qeverisë.

Kryeministri tha edhe se shumë shpejtë do të shpallë konkursin për përzgjedhjen e drejtorit të ri të ATK-së pasi kanë përfunduar rregulloret për zhvillimin e procedurave rekrutuese nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Gjatë konferencës fjalën e morri edhe ministrja e Financave Hykmete Bajrami.

Ajo tha se ky ka qenë një vit sfidues për ATK-në në mbledhjen e të hyrave dhe inkasimin e borxheve.

“Ka qenë një vit sfidues në të cilin parashikimet kanë qenë më të vështira dhe ATK është dashur që disa herë ta rishikoj planin e të hyrave. Hyrja në fuqi e ligjeve të reja ka ndiku në performancën e ATK. Ka qenë e vështirë pasi zyrtarët e ATK e kanë pas për detyrë me mbledh borxhe e në anën tjetër bizneset kanë qenë të dëmtuara nga pandemia”, tha Bajrami.

Ajo u bëri thirrje të gjitha bizneseve në Kosovë që t`i paguajnë detyrimet që të përfitojnë nga pako e rimëkëmbjes dhe t`i përditësojnë të dhënat e punëtorëve në mënyrë që të dihet se kush e ka humbur punën, pasi sipas saj është i madh numëri i personave që do të përfitojnë nga Ligji për rimëkëmbjen ekonomike.